Turqia dënon aktet e dhunës në Brazil

Ministria e Jashtme e Turqisë, dënoi aktet e dhunës kundër selive të institucioneve në Brazil, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga ministria, thuhet se është e rëndësishme të respektohen proceset demokratike dhe rezultatet zgjedhore që pasqyrojnë vullnetin e popullit.

Në deklaratë theksohet se Turqia ndodhet në solidaritet me qeverinë e presidentit Lula da Silva dhe popullin e Brazilit përballë veprimeve në fjalë. “Dënojmë fuqishëm aktet e dhunës kundrejt qeverisë nën drejtimin e presidentit Luiz Inacio Lula da Silva, Kongresit dhe Gjykatës Kushtetuese në Brazil”, thuhet në deklaratë.

Mbështetësit e ish-presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, dje në Brazil brohoritën me slogane me kërkesën për ndërhyrjen e ushtrisë dhe pasi kaluan barrierën e policisë hynë në ndërtesën e Kongresit.

Policia e cila ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, nuk mundi më pas të pengojë hyrjen me forcë të grupeve në ndërtesën presidenciale dhe të Gjykatës së Lartë.

Pasi mbështetësit e Bolsonaro-s bastisën Kongresin Kombëtar dhe presidencën, forcat e sigurisë i nxorën nga këto ndërtesa dhe vendosën kontrollin.