Udhërrëfimi i Alija Izetbegoviqit

Arben Labenishti

Për Alija Izetbegoviqin, lufta, si koncept në vete dhe si instrument politik, është e pranueshme ekskluzivisht për vetëmbrojtje dhe liri. Ndërsa, për t’u arritur paqja, kërkohet nga agresori ta njohë dhe respektojë të drejtën e merituar të popullit ndaj të cilit e ka bërë agresionin. Ai, me kthjelltësinë e mendjes dhe të zemrës, në ndërrimin e viteve 1994-1995 do të shprehej qartë dhe i vendosur: “Lufta nuk guxon të zgjasë as një ditë më shumë sesa që duhet, por as paqja nuk duhet të pranohet me çdo çmim. Kështu, do të negociojmë kudo që mundemi, por edhe të luftojmë nëse duhet, patjetër”.

Arben LABËNISHTI, Strugë

Historia e qytetërimeve nga lashtësia deri në ditët e sotme na mëson se “fuqia më e qëndrueshme në kohë është dija”. Po nga kjo histori, mësojmë se dija në kontributin për mirësinë e njerëzimit mund të jetë e dobishme ose e dëmshme. Gjithashtu është e njohur se, për të arritur tek dija dhe e vërteta e saj, për ta thënë atë dhe për ta zbatuar ose për të mos e zbatuar atë si bartëse të së dobishmes ose të së dëmshmes, kërkohet aftësi mendore dhe zemër e paverbuar.

Vigjilencë shpirtërore dhe intelektuale

Sipas hadithit që thotë: “O Allahu im! Kërkoj strehë te Ti për të ikur nga dija e dëmshme”(Muslim), pohohet ekzistenca e dijes së dëmshme dhe mësojmë për nevojën e mbështetjes së njeriut te Krijuesi, për të mos u sunduar nga ajo, dija e dëmshme.

Alija Izetbegoviqi, i cili kaloi sfida të shumta gjatë jetës së tij dhe krijoj një vepër madhështore, në një bisedë ka thënë se: “Unë mendoj se mua feja më ndihmoi që t’i tejkaloj të gjitha”. Vepra e tij më bën të besoj se ai ka qënë i strehuar te Zoti.

Periudha e rinisë së Izetbegoviqit përkon me kohën kur në vendet e Ballkanit jo pak të rinj e kishin kthyer kokën nga idetë komuniste. Ballafaqimin me këto ide, ashtu si me ateizmin, Izetbegoviqi i ka kaluar si një proces që i ka krijuar imunitet të përhershëm që të mbron nga përballja e mëtejshme me ato. Edhe veprat letrare, filozofike, sociologjike, shkencore që ai i ka lexuar e analizuar, si ato të Dostojevskit, Tolstojit, Kantit, Hegelit, Splenglerin, Bergsonit,, por edhe Bhavagad Gitan etj., nga të cilat mbresat më të veçanta i kanë lënë “Kritika e mendjes së pastër”, “Rënia e perëndimit” dhe “Evolucioni krijues”, por edhe vështrimet për qytetërimet, ai nuk i ka përqafuar e as i ka flakur verbërisht. Me pjekurinë intelektuale të të kuptuarit, atribuimin e rrugëdaljen epistemologjike dhe pikëpamjen islame, nga të gjitha këto ide ai e dallon të vërtetën nga e pavërteta, të dobishmen nga e dëmshmja dhe i qartëson mendimet e fenomenet dhe mban qëndrim për ato.

Hyrja e tij në jetën aktive intelektuale në Jugosllavinë federative përkon me periudhën kur regjimi i saj edhe nga mesi i myslimanëve kishte prodhuar figura të komunizmit jugosllav dhe ishte i dukshëm depërtimi i ideve të socializmit dhe komunizmit jo vetëm nëpër institucione, por kishte filluar edhe nëpër familjet e tyre, duke synuar që nëpërmjet ushtrimit të mekanizmave për zhbërjen e intelektualitetit islam dhe tjetërsimit kulturor dhe social, të asgjësonte të vërtetën e tyre dhe kështu të arrinte të ndërhyjë në programimin e “kodit gjenetik” të tyre, në funksion të ndërtimit të një realiteti të ri me myslimanët, kjo në një kohë kur bota myslimane vazhdonte të ishte e përçarë, e çoroditur dhe e varfëruar intelektualisht, sepse e kishte flakur mendimin, ishte larguar nga dija dhe shkenca islame, kur Perëndimi kapitalist, politik, intelektual dhe kulturor ecte në zhvillime liberal-demokrate me turbullira laicizmi, shekullarizmi dhe krishterizmi të larguar nga burimorja e krishterë, e cila vazhdonte devalvimin dhe zhveshjen nga metafizikja.

Këto janë rrethana që mendimtarit ia japin tagrin legjitim për t’u angazhuar. Izetbegoviqi, me penën e tij, i është përgjigjur kësaj situate me guxim dhe kthjelltësi besimi, me ndërthurjen e harmonishme të mprehtësisë së kritikës dhe konstruktivitetit intelektual, për çështje esenciale të njeriut, të jetës, të qytetërimit… Kështu, me aftësinë mendore të njohjes dhe me zemër të përndritur, u shkruan veprat “Deklarata islame”, “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, përmbledhja me artikuj “Problemet e rilindjes islame”, artikuj të tjerë, intervista dhe deklarata. Kjo kohë e përgatiti, pa e pritur dhe menduar, edhe për udhërrëfyes të popullit të vet, boshnjakëve, në kohën më të vështirë për ekzistencën e tyre. Ky është kapitali që, pa e pretenduar, e bëri Izetbegoviqin të urtin, përfaqësues të mendimit shoqëror, filozofik dhe politik.

Ai nuk ishte as i majtë e as i djathtë, s’i parapëlqente ekstremet, por e synonte “masën e duhur”. Vepra e tij karakterizohet nga besimi për të vërtetën, për të mirën, për nevojat konkrete të njeriut, për të gjallën, për ato që sjellin dobi në jetën e përditshme të kësaj bote dhe në botën e jetës së pasosur të ahiretit, për atë që u duhet jo vetëm myslimanëve, por mbarë aspiratave të njerëzimit si alternativë e shëndoshë për jetë, harmoni dhe zhvillim. Ai ishte frymë e botvështrimit me shpirtëroren – njeriun krijesë të Zotit, estetiken – argumentet e artit, harmoninë e shpirtit dhe trupit…, e cila ishte përftuar në ndërgjegjen e tij si vetëdije për të drejtën dhe për të dobishmen në funksion të mirësisë së shoqërisë njerëzore. Ky diskurs e përvijon, shpërfaqet dhe i jep kuptim të gjallë veprës së Izetbegoviqit, madhështisë së besimit të tij, e cila e bën atë përfaqësues mendimi intelektual jo vetëm në hapësirën e ish Jugosllavisë federative dhe asaj ballkanike, ku sundonin regjime diktatoriale komuniste me mentalitetin e gënjeshtrës, armikut të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, por edhe më gjerë, sepse kryevepra e tij, “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, jep frymë për lexim, diskutim dhe kuptim si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.

Edhe në kohën më të vështirë për popullin e tij, atë të luftës me karakter shfarosës, kur jo vetëm Serbia kishte prekur deri në palcë me gjenocidin, por edhe Perëndimi në këtë tmerr i kishte braktisur boshnjakët, ai u qëndron besnik ideve të tij dhe e shpërfaq këtë si vullnet dhe vlerë më të arrirë së cilës i beson. Kjo vetëdije duhet të jetë zgjidhje epistemologjike e mendjes së urtë të Alia Izetbegoviqit në harmoni me zemrën e frymëzuar me devotshmëri islame, e cila ishte substanca e besimit të tij dhe vizion udhërrëfyes. Ky është njeriu mendimtar, me veçori shpirtërore, të cilat e përndritin atë për ta dalluar nga të tjerët e të gjitha krahëve dhe ngjyrave politike, filozofike dhe fetare në Ballkan dhe përtej tij. Kur jemi te edukim i vigjilencës shpirtërore dhe urtësisë së tij, do të citoj një përshkrim që sjell ai për Profetin Muhamed a.s., kur shkruan: “Muhamedi a.s. ka qenë i bukur, por jo bukurosh… Ka qenë i guximshëm, por jo i ashpër. Ka qenë i mençur, por jo filozof. Ka qenë vizionar, por jo ëndërrimtar. Ka qenë këmbëngulës, por jo kokëfortë. Ka qenë i urtë, por jo dhelpërak. E gjithë kjo në personalitetin e tij ka qenë e sjellë deri në masën e duhur, dhe në këtë njerëzi sipërore gjendet fshehtësia e fuqisë së Muhamedit a.s.me të cilën pushtonte rrethin .” Sigurisht, cilësitë morale, urtësia dhe predikimi i pejgamberit Muhamed janë të paarritshme, sepse ai është i dërguari i Allahut, Krijuesit të Plotfuqishëm, të Gjithëdijshëm dhe Mëshirëplotë, por ai është shëmbëlltyra më e mirë e mesazhit të Zotit nga i cili duhet të mësojë dhe t’i ofrohet sa më shumë njeriu, në qëndrimet dhe praktikën e tij në jetën e kësaj bote. Nga njerëzit që i kanë synuar këto virtyte madhështore, si mësim se çfarë duhet të jemi dhe çfarë nuk duhet të jemi, është edhe Izetbegoviqi. Vepra e të bëmave dhe jetës së tij është kapital besimi, por nivelin se ku ka arritur ai ne nuk mund ta masim. Për këtë ai, në bisedë me Sidranin, thotë: ”Njeriu asnjëherë nuk mund ta dijë se çfarë besimtari është; kjo gjë nuk mund të matet. Njeriu thjesht mund të mbajë ndonjë qëndrim për veten në këtë drejtim. Ndoshta raporti ndaj vuajtjeve që i përjeton njeriu në jetën e vet mund të jetë test për të se a beson apo nuk beson.”

Karakteri i aktivitetit intelektual të Izetbegoviqit është analizues, sqarues, sensibilizues, mësimtar, dashamirës, bashkëpunues, refuzues, i rezistencës dhe i udhërrëfyesit. Për këto qëndrime, në një shtet totalitar siç ishte Jugosllavia, njeriu përndiqej dhe ndëshkohej me burg. Dhe, ashtu ndodhi, ai u privua dy herë nga liria, të cilën e vuajti pa u ligështuar, pa u dorëzuar në udhëtimin e tij, i cili pa e pretenduar dhe pa e kuptuar ai, nuk ishte një udhëtim prej të rëndomti, por prej mendimtari misionar.

Në ballë të luftës për identitetin dhe mbijetesën boshnjake

Edukimi shpirtëror dhe intelektual i Izetbegoviqit nuk ishte vetëm një xhevahir për reflektim dhe vigjilencë të shprehur nëpërmjet veprave dhe artikujve që ai shkroi, por edhe për ta merituar misionin e udhërrëfyesit në praktikë, të cilin e ushtroi me përgjegjësi në kohën kur boshnjakët u përballën me sfidën serbe jo vetëm për t’i sunduar, por edhe për t’i zhdukur.

Jugosllavia federative, në fillim të dekadës së fundit të shekullit të XX, u fut në udhën e shpërbërjes. Serbia, që e kontrollonte pjesën më të madhe të ushtrisë jugosllave, tentonte të ruajë sa më shumë territore në atë që do të mbetej nga Jugosllavia. Në këtë periudhë qëndrimi, i boshnjakëve nën drejtimin e Izetbegoviqit, i cili ishte futur në jetën politike institucionale të vendit me partinë PAD, të cilën e themeloi në mars të vitit 1990, ishte i qartë: “…Çdo Jugosllavi me Kroacinë dhe Serbinë është e pranuar, ndërsa pa njërën nga këto dy vende nuk është e pranuar kurrfarë Jugosllavie”. Situata kishte marrë udhë pavarësish dhe kur Kroacia e shpalli pavarësinë, edhe për boshnjakët alternativa e vetme ishte shkëputja nga Jugosllavia.

Çmenduria hegjemoniste serbe, që e kishte arritur kulmin, me forcën e armëve në prilli i vitit 1992, e sfidoi popullin boshnjak, me synimin për pushtimin e trevave boshnjake nëpërmjet spastrimit etnik të tyre, që u përpoqën ta realizonin nëpërmjet ekzekutimit në masë të boshnjakëve dhe emigrimit të tyre si rezultat i dhunës ushtarake, e cila u dëshmua në veçanti me gjenocidin serb në Srebrenicë. Në këto rrethana, me karakter shfarosës për boshnjakët, ishte e natyrshme që sfidës ushtarake serbe, t’i përgjigjen me luftë mbrojtëse, luftën për ekzistencën e tyre.

Për Alija Izetbegoviqin, lufta, si koncept në vete dhe si instrument politik, është e pranueshme ekskluzivisht për vetëmbrojtje dhe liri. Ndërsa, për t’u arritur paqja, kërkohet nga agresori ta njohë dhe respektojë të drejtën e merituar të popullit ndaj të cilit e ka bërë agresionin. Ai, me kthjelltësinë e mendjes dhe të zemrës, në ndërrimin e viteve 1994-1995 do të shprehej qartë dhe i vendosur: “Lufta nuk guxon të zgjasë as një ditë më shumë sesa që duhet, por as paqja nuk duhet të pranohet me çdo çmim. Kështu, do të negociojmë kudo që mundemi, por edhe të luftojmë nëse duhet, patjetër”.

Luftën gjenocidale serbe në Bosnjë e rëndoi në dëm të boshnjakëve edhe një akt tjetër, ai i qëndrimit braktisës, i shurdhër dhe i verbër i diplomacisë ndërkombëtare, i cili përbën vepër të dëmshme, të padrejtë, të papranueshme, të patolerueshme, të turpshme dhe të dënueshme. Kjo është vepër më shumë se hipokrite e Perëndimit dhe Organizatës së Konferencës Islamike. Për këtë Izetbegoviqi thotë: “Kam shkuar nëpër botë të kërkoj shpëtim dhe drejtësi për popullin tonë. Por, saherë që kam shkuar atje, jam ndjerë si njeri i etshëm i cili shkon në shkretëtirë për të kërkuar ujë.”

Boshnjakët dhe Bosnja e tyre, në veçanti në periudhën e luftës dhe negociatave, kishin kundërshtarët dhe armiqtë të drejtpërdrejtë, të tërthortë, por mendoj dhe të fshehtë. Ata, të dukshëm dhe të padukshëm, ishin bashkë për të keqen e boshnjakëve dhe të shtetit të Bosnjës. Dashakeqët ndoshta e kanë patur këtë frymë të lidhur me përkatësinë fetare islame të boshnjakëve, por nuk përjashtohet edhe me ndonjë qëllim tjetër. Por, çfarëdo që të kenë qenë ato qëllime, asnjëherë nuk mund të arsyetohen dhe argumentohen nga një mendje e shëndoshë. Ato, kurdo dhe kudo që kanë ndodhur dhe nëse ndodhin në të ardhmen, s’janë asgjë më pak se krim. Pavarësisht nga dashakeqët e natyrave të ndryshme, boshnjakët me urtësinë e Alija Izetbegoviqit, sigurisht, me sakrifica të dhimbshme deri në tmerrim, triumfuan.

Kjo, më së miri mund të kuptohet dhe të mbyllet me vlerësimin e Abdulla Sidranit, i cili thotë: “…më lejoni t’i përmendi dy fakte historike, dy rezultate historike, deri te të cilat populli boshnjak arriti në epokën e udhëheqjes së Alia Izetbegoviqit: E para, populli boshnjak që, qoftë paqe ose luftë, qe gjykuar të zhduket, që deri atëherë trajtohej si një grup fetar, por jo si popull, si komb, e ktheu emrin e tij historik, të vërtetë, të grabitur: boshnjakët. Alija me kohë e nuhati dhe me përkrahjen dhe angazhimin këmbëngulës të tij e realizoi këtë synim. E dyta, me emrin e tij vetjak etnik dhe me ushtrinë prej dyqind mijë ushtarësh, populli boshnjak u bë faktor politik (e jo popull politik siç ndodhi me fqinjët e boshnjakëve), te i cili duhet të llogarisë çdo rival, mik ose armik.”

Nuk i humb vlera

Alija Izetbegoviq mbetet mendimtari më befasues jo vetëm për popullin e tij, por edhe më gjerë për shoqërinë myslimane dhe të tjerë. Vepra e tij është rezultat i një mendimi të thellë, që të shpie te të kuptuarit e realitetit, i cili ishte i vlefshëm për dje, vlen për sot dhe do të jetë i vlefshëm edhe për të nesërmen. Prandaj, nuk përbën një kërshëri çasti, por është frymë, alternativë dhe model të cilit nuk i humb vlera. /revistashenja