UNICEF: Të paktën 82 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga armëpushimi i 10 tetorit

Të paktën 82 fëmijë thuhet se janë vrarë në Gaza që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor, tha sot UNICEF-i, duke paralajmëruar për atë që e përshkroi si një “model tronditës” dhune, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetarët në Gjenevë, zëdhënësi i UNICEF-it, Ricardo Pires tha se “UNICEF-i e di që sipas asaj që thuhet, deri më tani 82 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga 10 tetori, i cili përsëri, është një model tronditës dhe duhet të ndalet”.

Sipas zyrës së medias në Gaza, të paktën 386 persona janë vrarë dhe 980 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite që nga armëpushimi.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka raportuar më shumë se 350 sulme që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, duke thënë se “Ata ishin të gjithë në afërsi të të ashtuquajturës ‘vijë e verdhë’, me të paktën 121 palestinezë të vrarë, përfshirë shtatë gra, 30 fëmijë dhe shumë të plagosur të tjerë”.

Edhe pse një armëpushim hyri në fuqi më 10 tetor, kushtet e jetesës në Gaza nuk janë përmirësuar, pasi Izraeli vazhdon të vendosë kufizime të rrepta për hyrjen e kamionëve me ndihma, duke shkelur protokollin humanitar të marrëveshjes.

Izraeli ka vrarë më shumë se 70 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023, të cilat kanë vazhduar pavarësisht armëpushimit.