Unioni Afrikan pezullon anëtarësimin e Malit pas grusht shtetit

Unioni Afrikan (AU) ka pezulluar anëtarësimin e Malit nga blloku pas grusht shtetit të muajit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi u mor gjatë një takimi të Këshillit të Paqes të AU-së mbi situatën e vendit anëtar të saj të Afrikës Perëndimore.

Në njoftimin e Këshillit të Paqes dhe Sigurisë thuhet se blloku vendosi “të pezullojë menjëherë Republikën e Malit nga pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet, organet dhe institucionet e Unionit Afrikan derisa të rikthehet rendi normal kushtetues në vend”.

Këshilli kërkoi që “ushtria e Malit të kthehet urgjentisht dhe pa kushte në kazerma si dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje e mëtejshme në proceset politike në Mali”.

Blloku paralajmëroi sanksione dhe masa të tjera ndëshkimore nëse vendi nuk kthehet në tranzicionin demokratik të rënë dakord.

AU kërkoi nga Mali të respektojë periudhën kalimtare 18-mujore, e planifikuar fillimisht deri më 27 shkurt të vitit 2022, data e ardhshme e zgjedhjeve demokratike.

Ai bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të arrestit shtëpiak të presidentit të qeverisë kalimtare, Bah N’Daw dhe kryeministrit Moctar Ouane, të cilët u përmbysën nga grusht shteti.

Të dy dhanë dorëheqje javën e kaluar pasi u mbajtën për tre ditë nga Assimi Goita, udhëheqësi i juntës i cili organizoi dy grusht shtetet e mëparshme. /aa