Vaksinat kundër COVID-19 mbërrijnë në Kosovë në mbrëmje

Në Kosovë sot (e diel) në orët e mbrëmjes do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër coronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.

Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me fillim nga ora 20:15.

Kryeministri i Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.

“20:15 – Fillimi i ceremonisë dhe 20:20 – Fjalimet (kryeministri, ministri i Shëndetësisë, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, ambasadorët e QUINT-it, përfaqësuesi i UNKT-së)”, thuhet në agjendën e Zyrës së Kryeministrit.

Ky kontingjent është në kuadër të 100,800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër Coronavirusit.