Valencia interesohet për Bajramin

Skuadra e Valencias ka shprehur interesim për mesfushorin e Shqipërisë, Nedim Bajrami, kanë raportuar të mërkurën mediumet italiane. Bëhet e ditur se ekipi spanjoll po synon transferimin e Bajramit gjatë afatit kalimtar të janarit dhe tashmë ka nisur kontaktet me Empolin.

Valencia është gati të ofrojë deri në 10 milionë euro për mesfushorin 23-vjeçar. Bajrami është pjesë e Empolit prej vitit 2020, ndërsa edhe këtë sezon ka vazhduar me paraqitje të mira në kampionatin italian.

Në 18 ndeshje të luajtura në Serie A, Bajrami ka një gol e një asistim. Ai ka kontratë me Empolin deri në verën e vitit 2024.