Vazhdon vaksinimi i qytetarëve kundër coronavirusit, në 24 orët e fundit u dhanë mbi 19 mijë vaksina

Është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve kundër coronavirusit, ku vetëm në 24 orët e fundit janë dhënë 19 mijë e 248 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 559.007 doza të vaksinës.

“Në 24 orët e fundit janë dhënë 19.248 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 559.007 doza të vaksinës.Deri më sot 192.503 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga MSH.

Në 24 orët e fundit, në Kosovë nga coronavirusi kanë humbur jetën edhe tre persona. Ndërkaq, janë shëruar 46 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106.009.

Në total numri i rasteve aktive është 5.493.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ditën e enjte ka miratuar masat e reja kundër COVID-19.