Vetbesimi, koncepti dhe burimet

T’i besosh vetes: sa e çuditshme është kjo marrëdhënie nëse e thellojmë reflektimin mbi të! Por sa i largët na duket ky raport kur kuptimin tonë e drejtojmë kah rrafshi i jashtëm i gjërave dhe prej andej presim plotësimin e objektivave dhe dëshirave! Kurse nga pikpamja e kundërt; sa të afërt e ndiejmë këtë raport në rastet kur pozicionimi ynë ka qenë vendimtar në çështjen madhore të njeriut për të përcaktuar atë që e quajmë fat!

Vetbesimi – sa fjalë kuptimplotë në tërësinë e saj dhe sa gjithëpërfshirëse në kategoritë që përmbledh! Kjo fjalë e përbërë nga dy fjalë të thjeshta posedon në vetvete dy botë të kundërta të mishëruara deri në skajet më të largëta të ekzistencës. Nga ky mishërim – i pakuptueshëm në mungesë të shpirtit njerëzor- ngjizen dhe shfaqen elementët e ndjenjave njerëzore. Ndërlidhja dhe përleshja e përhershme e shpirtit njerëzor me botën brenda dhe jashtë tij prodhon këto ndjenja të cilat në vetvete janë vetë fati ynë. Pasqyrimi idealist i këtij fati përfaqësohet prej artit me anë të tragjedisë, dramës apo komedisë, vetëm në këto stade kemi mundësi të njihemi me shpirtra që janë koherente kur i besojnë vetes së tyre…

Koncepti ‘vetbesim’ përfshin dy sfera të jetës së njeriut të cilat janë po aq me vlerë sa është edhe njeriu në tërësinë e tij: ‘vetja’ (uni njerëzor) me elementët e saj trupor, mendor e shpirtëror edhe ‘besimi’ si përgjithësim i marrëdhëniës së njeriut me botën jashtë tij. Këto dy sfera lidhen shumë ngushtë me njëra-tjetrën, por janë edhe në kundërshtim të vazhdueshëm.

Lidhja e pashmangshme dhe e domosdoshme qëndron në faktin se vetja – ose njeriu në tërësinë e vet – vepron mbi bazën e koncepteve dhe ideve që intelekti njerëzor krijon mbi thelbin e gjërave. Kësisoj konceptet edhe idetë të cilat krijon intelekti njerëzor shndërrohen në orientuese të veprimeve njerëzore të cilat rrjedhimisht ndikojnë sferën shpirtërore. Kjo ndër-ndikueshmëri midis intelektit, trupit dhe shpirtit njerëzor përcakton llojin dhe nivelin e besimit që ka njeriu në lidhje me gjithçka që percepton edhe që koncepton.

Prirja njerëzore për të rendur pas individualitetit të tij, për të përmbushur dëshirat instiktive dhe për t’iu shmangur përgjegjësive, gjithmonë do kundërshtohet nga besimi i cili – nën ndriçimin e mrekullueshëm prej intelektit – në çdo kohë ka për të qenë vlerë e paçmueshme materialisht me asnjë ekuivalence të mundësive njerëzore. Vetja jonë në mungesë të besimit gjithmonë do synojë drejt të ultës, shtazarakes, ndërsa besimi i pranishëm në shiprt do synojë gjithmonë ta tërheqë atë lart, tek bota e pastër ideale. Përpjekja jonë për t’i ikur spektrit të ulët të gjërave dhe për të synuar rrafshin ideal të ndjekjes së parimeve përbën në të vërtetë anën njerëzore tek ne, elementin më të rëndësishëm identifikues të qenies sonë.

Themi se besimi synon gjendjet e larta në të cilat njeriu arrin harmoninë dhe qetësinë për shkak se kjo ndjenjë karakterizohet prej të qenit aktive dhe udhëheqëse drejt objektivave që i kupton mendja jonë. Ndërsa vetja jonë e kuptuar si prani e tërësisë sonë në botë, e paorientuar prej parimeve të besimeve në lidhje me shumë vlera dhe morale ka natyrë pasive, ndërkohë që largimi prej botës së ulët të cilës i mungon humaniteti nuk mund të realizohet nëse ecim gjurmëve që na orientojnë aspektet instiktive të qenies sonë.

Këto dy koncepte jetike bashkohen në një koncept themelor përsa i përket fatit të njeriut, ai është koncepti i vetbesimit. Vetbesimi është i pranishëm tek çdo njeri sepse nuk ka asnjë qenie njerëzore që të mos besojë tek vetja e saj, porse ndryshimi qëndron në mënyrën dhe forcën e asaj se si edhe sa besojmë tek vetja. Jeta dëshmon ekzistencën e njerëzve me vetbesim të gabuar por edhe e njerëzve me vetbesim të drejtë; në ekzistencën e njerëzve me besim të ulët tek vetja por edhe të njerëzve me besim të madh tek vetja e tyre. Larmishmëria që ekziston midis skajeve të këtyre lloji të njerëzve është treguese e faktit se sa e njohim veten dhe se sa veprojmë në të mirë të saj.

Njohja e saktë e pasurisë sonë si qenie me trup, mendje dhe shpirt arrin të shndërrojë gjendjen e brendshme në stadin e një harmonie të pashprehshme dhe të pazvendësueshme me asnjë pasuri të jashtme. Kur ta kuptojmë vlerën dhe mundësitë e trupit tonë për të realizuar veprimtari transformuese në dobi të vetes sonë, kur të vetëdijësohemi mbi aftësitë e intelektit tonë në orientimin e rrugëtimeve të jetës, kur ta njohim natyrën e vërtetë të shpirtit… atëherë do kemi mundësinë që t’i besojmë vetes sonë dhe duke u mbështetur tek ky besim të arrijmë që t’i dhurojmë asaj mirësi.

Të besosh tek mundësitë reale të trupit pasi i ke njohur ato do të thotë që këtë besim ta reflektosh në përdorimin maksimal të energjive dhe kapaciteteve trupore për të bërë punë me anë të të cilave përfitimi të jetë sa më i frytshëm, por edhe të ruhet ekuilibri për të mos e dëmtuar atë. Ky shfrytëzim nuk është i mundshëm nësë më parë nuk i kemi njohur aftësitë dhe kapacitetet e trupit. Ndërsa njohja e mendjes sonë, aftësisë dhe forcës së saj depërtuese e kuptuese është e barasvlefshme me qëllimin dhe përpjekjen tonë për të mposhtur dhe eleminuar padijen tonë, fushën e gjërave të cilat nuk i njohim. Pra, tek këto dy sfera të mendjes sonë (informacioni dhe kuptimi) ne besojmë aq sa realisht e njohim thelbin e tyre dhe i japim vlerë këtij besimi aq sa jemi në gjendje që trupin dhe mendjen tonë t’i vendosim në funksion të asaj që është e drejtë për aq sa e kuptojmë si të tillë.

Sfera shpirtërore shfaq një natyrë tepër të veçantë të marrëdhënies sonë me veten, rrjedhimisht një përcaktim shumë të rëndësishëm të çështjes së vlerësimit të vetes mbi kritere të së vertetës. Origjina dhe natyra mbinjerëzore e shpirtit pasqyron dëshirën e njeriut për lumturi të përhershme. Kjo dëshirë jeton së bashku me besimin tek mundësia që ne e posedojmë për ta arritur lumturinë me anë të qëndrimeve që gjithmonë i përkasin shpirtit, cilësisë së tij thelbësore për t’u pozicionuar kah një anë e kërkesave morale. Madje edhe sferat e trupit dhe mendjes janë në funksion të veprimeve që e çlirojnë shpirtin dhe i japin fuqi për ta përkrahur dhe vlerësuar drejtësinë edhe mirësinë.

Prandaj të besosh tek vetja mbi të gjitha do të thotë të njohësh saktë të keqen dhe ta urresh atë me forcën më të mundshmë të shpirtit, do të thotë ta njohësh saktë të mirën dhe ta duash me gjithë forcën e shpirtit. Pas kësaj këto ndjenja urrejtje edhe dashurie t’i përkthesh me anë të veprimeve të gjymtyrëve për të punuar punë që intelekti i kupton si armiq të së keqes dhe miq të së mirës, madje të përpiqesh që me sa mundësi të kesh, ta largosh të keqen prej njerëzve dhe t’u bësh atyre mirë.

Njohja e vetes sonë është një proçes që zgjat aq sa jeta jonë dhe falë saj ne ndryshojmë shumë herë këndvështrimet prej të cilëve e vlerësojmë veten. Për këtë arsye është e rëndësishmë njohja e përfundimit të rrugëtimit të jetës sonë si edhe gjurmët më të rëndësishme që na orientojnë për tek arritja në përfundimin e duhur. Njohja e saktë e vetes nënkupton njohjen e të gjitha marrëdhenieve të njeriut me çdo fenomen të mundshëm të kuptuar prej tij, prandaj tek këto njohje të gjëravë të rëndësishme në jetë ndodhen edhe burimet me anë të cilave ne ushqejme besimin e shpirtit për suksesin arritje në realizimin e veprimtarisë sonë mendore dhe trupore si edhe të qëndrimeve shpirtërore.

Një shpirt të cilin e ndriçon dija është shpirti që priret më shumë për t’i besuar vetes së vet, prandaj edhe njerëzit e dijshëm janë ata të cilët më së miri dinë si t’i frikësohën dështimit në qëllimin e jetës dhe veprimtarisë së tyre, kjo sepse ata më mirë e kuptojnë përfundimin e jetës dhe më së shumti e ndiejnë dhimbjen e këtij dështimi. Njerëzit dijshëm janë gjithashtu edhe ata të cilët zotërojnë shpresë të logjikshme edhe të denjë për arritjen e fitores në sprovat jetës.

Burimet e vetbesimit shumë lehtë mund të përcaktohen tek disa elementë që evidentohen prej shpirtit njerëzor siç janë: bindja në ekzistencën e ligjësisë së ndëshkimit dhe shpërblimit e cila na bën të besojmë tek vetja në rast se veprojmë sipas mësimeve të kësaj ligjësie; frika nga humbja e mirësive që kemi por edhe nga përballja me të këqija më të mëdha, kjo frikë është e natyrshme por edhe pasojë e dijes sonë mbi rezultatin final të gjykimit të veprave; shpresa për ta shpëtuar veten nga e keqja edhe për ta përvetësuar të mirën, edhe shpresa ashtu si është e natyrshmë është dhe pasojë e dijes sonë mbi finalizmin e suksesshëm të përdorimit pozitiv të kapitaleve të vetes sonë; këta elementë janë konkretë dhe të vërtetë logjikisht, por ashtu si vetë ne kur ndodhemi nën hijen e njohjes së saktë të vetes, edhe këta elementë prej të cilëve buron vetbesimi ynë, burojnë prej Krijuesit të njeriut dhe të gjithësisë, prej Atij që ka krijuar mendjen e cila arrin ta kuptojë veten, shpirtin e trupin e saj dhe rrjedhimisht arrin në njohje të Zotit të saj. Besimi në Zot është ai që e bën të qëndrueshëm, të qartë dhe me vizion të drejtë besimin tek vetja.

Burimi absolut, i përhershëm dhe i vërtetë i vetbesimit është besimi në Zot. gjithçka që qëndron përtej tij është pasojë dhe pasqyrim i këtij burimi të pashtershëm dhe të përsosur. Besimi në Zot na dhuron aftësi imagjinuese për të shpresuar me ndjenjën më të lartë të krenarisë e thjeshtësisë njëkohësisht, në çuarjen e vetes sonë tek piedestalet e mahnitshme të triumfit ndaj kërcënimeve të vetvetes për mposhtje dhe dështim. Këto suksese në triumfin më të bukur që mund të konceptohet janë të arrritshme vetëm nëse lidhemi me të vetmin burim të pafundëm dhe të meritueshëm për të ushqyer besimin tek forca dhe aftësia e lartë e vetes sonë për t’ia dalë mbanë në kapërximin e sfidave që cënojnë humbjen e drejtësisë së vetbesimit dhe më pas të forcës së tij.