Vlera e dhjetë ditëve të dhul hixh-xhes

Dhjetë ditët e Dhul Hixhes, janë një periudhë disaditore e mbushur me të mira plot.

Prej myslimanit, pritet që të veprojë punë të mira këto ditë, me shpresë se një nga puhizat e rahmetit të Zotit, ta përfshijë gjatë këtyre ditëve. Veprat e mira që mund të bëjë janë si agjërimi, namazi, leximi i kuranit, bërja sa më shpesh tesbi (subhanallah) tehlil (la ilahe ilallah) tahmin (elhamdulilah) dhe istigfar (estagfirullah).

Thotë dijetari i shquar nga Arabia Saudite, Salih El-Munexhid:”Ndër sezonet e dalluara ku demonstrohet më së shumti bindja ndaj Krijuesit, është sezoni i dhjetë ditëve të dhul hixhes, ditë të parapëlqyera nga vetë zoti i lartësuar. Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith:”Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Zoti, sesa këto dhjetë ditë.” Shokët e tij, të çuditur e pyetën:”Edhe se pjesëmarrja në xhihad o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s ua ktheu:”Përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.” (buhariu 2\475)

Thotë Profeti a.s:”Nuk ka vepër me të vlerësuar dhe me sevap më të madh, sesa një vepër e mira që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhes.” Dikush e pyeti:”As pjesëmarrja në xhihad?!” Profeti a.s u përgjigj:”As pjesëmarrja në xhihad, përveç një burri I cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.”

Këto dy hadithe, janë tregues se dhjetë ditët e Dhul Hixhes, janë ditët më të mira të vitit pa përjashtim, madje janë më të mira edhe se dhjetë ditët e fundit të ramazanit. Por, dhjetë netët e fundit të ramazanit janë më të mira, pasi në to gjendet nata e kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Kështu, kuptohen më mirë hadithet dhe vlerat e secilit sezon.

Dije vëlla dhe motër e dashur, se simpatia dhe favori për këto dhjetë ditë buron nga:

1 – Vetë zoti i lartësuar betohet në këto dhjetë ditë. Fakti që zoti betohet në këto ditë, është tregues i rëndësisë, madhështisë dhe dobive të shumta. Thotë zoti në kuran:” Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!” (fexhr, 1-2)

Thotë Ibnu Abasi, Ibnu Zubejri, Muxhahid dhe të tjerë se këto dhjetë ditë me të cilat betohet Zoti janë dhjetë ditët e para të muajit dhul hixhxhe.” Thotë ibnu kethiri:”Ky është mEndimi më i drejtë.”

2 – Vetë profeti Muhamed a.s i ka konsideruar si ditët më të mira të vitit, siç u cek dhe në hadithet e lartpërmendura.

3 – Profeti a.s i nxit besimtarët që gjatë këtyre ditëve të veprojnë punë të mira dhe kjo për shkak të shenjtërisë së sezonit për të gjithë myslimanët anembanë botës dhe për shkak të shenjtërisë së vendit, për haxhilerët që ndodhen në Qabe.

4 – Profeti a.s urdhëron për të shtuar tesbihun këto ditë, tekbirin dhe tahmidin. Lidhur me formulën e tekbirit, kjo ceket në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibnu umer, zoti qoftë i kënaqur me të, se Profeti a.s ka thënë:”Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura dhe më vlerësuese tek Zotit, sesa këto dhjetë ditë. Prandaj, e shtoni tehlil-in (la ilahe ilallah) tekbirin (allahu ekber) dhe tahmidin (elhamdulilah).” (transmeton imam ahmedi)

5 – Në këto dhjetë ditë, gjendet dhe dita e Arafatit, ditë e dëshmuar për vlerat e saj, pasi është dita ku feja islame u plotësua përfundimisht. Agjërimi i kësaj dite fshin gjynahet e dy viteve. Në këto dhjetë ditë, gjendet dhe dita e kurbanit, ditë e cila konsiderohet absolutisht si dita më e madhe e vitit, pasi është dita e haxhit të madh, në të cilën bashkohen adhurime të ndryshme, si në asnjë ditë tjetër të vitit.

6 – Në këto dhjetë ditë, theren kurbane dhe kryhet haxhi.

Perceptimi dhe përjetimi i duhur i këtyre dhjetë ditëve, është një ndër mirësitë më të mëdha të Zotit ndaj një njeriu. Vetëm njerëzit e sinqertë i vlerësojnë siç duhet. Është obligim i të gjithë besimtarëve ta përjetojnë këtë mirësi, ta shfrytëzojnë këtë shans dhe kjo duke i specifikuar këto ditë me vepra të mira. Është mirësi e Zotit që ne myslimanëve na ka dhënë shumë shanse dhe rrugë për ta adhuruar atë, me qëllim që gjatë gjithë kohës të jemi të përkushtuar dhe në kontakt me zotin dhe kujdestarin tonë.

Veprat që preferohet të kryhen nga besimtarët, gjatë këtyre dhjetë ditëve:

1 – Agërimi. Është synet për myslimanin që të agjërojë nëntë ditët e parë të muajit Dhul Hixhe. Kjo, sepse vetë profeti Muhamed a.s, nxit për vepra të mira në këto ditë dhe padyshimin më të vogël, agjërimi llogaritet si vepra më e mirë tek Zoti. Agjërimi është një vepër të cilën Zoti e ka përzgjedhur dhe vlerësuar si asnjë vepër tjetër. Thotë Zoti në një hadith kudsij:”Çdo vepër e birit të Ademit është për veten e tij, përveç agjërimit, të cilin e bën sinqerisht për mua dhe unë do e shpërblej.” (Buhariu, 1805)

Është fakt që profeti Muhamed a.s i agjëronte nëntë ditë nga dhjetë të Dhul Hixhxhes. Transmeton Hunejde ibnu Halid se e shoqja i ka treguar se gratë e profetit a.s kanë thënë:”I dërguari i Zotit a.s agjëronte nëntë ditët e para të Dhul Hixhxhes, ditën e Ashures dhe tre ditë për çdo muaj, dy ditët e para të hëna të çdo muaji dhe dy të enjtet.” (Nisaij, 4\205)

2 – Tekbiri (Allahu ekber), tahmidi (elhamdulilah), tehlili (la ilahe ilallah) dhe tesbih (subhanallah) janë të pëlqyeshme këto ditë. Ato është mirë të citohen me zë në xhami, shtëpi dhe në çdo vend ku lejohet përkujtimi i Zotit. Nëse prej burrave kërkohet të bëhet me zë, nga gratë kërkohet të bëhet me zë të ulët ose pëshpërima.

“që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai” (Haxh, 28)

Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve myslimanë, ditët e caktuara, janë dhjetë ditët e Dhul Hixhxhes. Këtë e konfirmon dhe vetë Abdullah ibnu Abasi, i cili thotë:”Ditët e caktuara, janë dhjetë ditët e dhul hixhxhes.”

Forma e tekbirit është:”Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe ilallah, vallahu ekber ve lilahil hamd.”

Në kohët tona, tekbiri është bërë një traditë e harruar dhe e braktisur nga myslimanët, sidomos këto dhjetë ditë të shenjta. Prandaj, është mirë që kjo traditë të rikthehet sërish dhe myslimanët të bëjnë tekbire me zë, që t’ua kujtojnë dhe atyre që kanë harruar. Është vërtetuar se Abdullah ibnu Umer dhe Ebu Hurejre dilnin pazarit në këto dhjetë ditë dhe bënin tekbir, gjë e cila pasohej menjëherë nga tekbiret e njerëzve prezentë. Qëllimi me këtë është që t’ju kujtohet njerëzve dhe secili të bëjë tekbir më vete. Pra, qëllimi nuk është tekbiri kolektiv.

Të ringjallësh një traditë tashmë të zhdukur apo të fjetur, ka shpërblim shumë të madh tek Zoti. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush ringjall një sunet nga sunetet e mia të cilat kanë vdekur pas meje, i takon shpërblimi sikur të ketë vepruar me të, pa i munguar nga ky shpërblim asgjë.” (Transmeton Tirmidhij, 7\443)

3 – Kryerja e Haxhit dhe Umres. Një ndër veprat më të pëlqyeshme dhe më me vlerë që mund të kryhen gjatë këtyre dhjetë ditë, është haxhi në shtëpinë e shenjtë të Zotit, Qaben. Kujtdo që Zoti ia lehtëson dhe ia mundëson ta vizitojë Qaben, i kryen ritet e Haxhit në formën e duhur, në dashtë Zoti do të ketë shpërblim të madh. Thotë profeti Muhamed a.s lidhur me shpërblimi ne Haxhit:”Një Haxh i pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.”

4 – Shtimi i veprave të mira në përgjithësi. Kjo, pasi veprat e mira janë të dashura tek Zoti dhe rrjedhimisht shtojnë sevapin dhe shpërblimin për besimtarin. Kushdo që nuk ka mundur të shkojë në haxh, le ta mbushë kohën e dhjetë ditëve me vepra të mira, si namaz, lexim kurani, përkujtim të zotit, lutje, sadaka, respekt të prindërve, vizita farefisit, urdhërim për mirë dhe ndalim nga e keqja etj…

5 – Kurbani. Ndër veprat e mira gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhxhes, është dhe therja e flijimi i kurbanit, pasi të ketë marrë përkujdesjen e plotë për këtë qëllim.

6 – Pendimi i sinqertë. Një vepër tjetër e mirë gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhxhes është dhe pendimi i sinqertë dhe distancimi nga të gjithë gjynahet. Të pendohesh, do të thotë të kthehesh kah Zoti, të distancohesh nga gjithçka që urren Ai si fizikisht ashtu dhe shpirtërisht, të pendohesh për gjithçka ke vepruar më parë, të largohesh nga veprat e liga në çast, të jesh i vendosur që nuk do u kthehesh më gjynaheve, të qëndrosh në rrugën e drejtë të zotit dhe të veprosh konform kënaqësisë dhe vullnetit të Zotit. Është detyrë e myslimanit që nëse e sheh veten të ngatërruar me ndonjë gjynah, të shpejtojë dhe të pendohet menjëherë, pa u vonuar, sepse:

Së pari, mund të befasohet nga meleku i vdekjes në çdo orë e çast.

Së dyti, sepse veprat e liga dhe gjynahet tërheqin njëri-tjetrin.

Pendimi në sezone dhe kohë të preferuara ka shumë vlerë tek Zoti. Prirja e besimtarëve për vepra të mira në këto ditë, dëshira për të shtuar depozitat e tyre shpirtërore tek zoti dhe shija e ibadetit, e zbusin zemrën e cila menjëherë priret për t’u penduar nga gjynahet dhe gjithçka e kaluar. Pendimi është një vepër që kërkohet në çdo kohë dhe vend, por nëse bashkohet pendimi i sinqertë, me vepra të dashura tek Zoti, në një sezon madhështor si dhjetë ditët e dhul hixhxhes, kjo është shenjë e shpëtimit dhe sigurimit të faljes së zotit.

Thotë Zoti në kuran:”Porse, ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, do të jetë i shpëtuar.” (Kasas, 67)

Myslimani duhet të jetë i këmbëngulës dhe i gatshëm që ti shfrytëzojë sa më mirë sezonet e mirësive dhe begative të Zotit, pasi ato kalojnë shumë shpejt dhe pa e ndjerë. Këto sezone janë shans dhe rast i vyer për të vepruar punë të mira, për shpërblimin e të cilave do të ketë shumë nevojë në jetën tjetër. Dita e udhëtimit për në atë botë është shumë afër, rruga e mbushur me vështirësi dhe të papritura, shumë njerëz janë indiferentë, rreziku i madh dhe gjynahet mund të jenë të shumta. Përse të mos i shfrytëzojmë këto ditë dhe sevapin e pallogaritshëm të tyre? A nuk e di se Zoti shpërblen dhe nuk humbet çfarëdo lloj vepre, sado e vogël qoftë ajo?

Plaçka dhe malli më i shtrenjtë dhe i vyer këto ditë, është shfrytëzimi maksimal me ibadete. Shpërblimi dhe sevapi i këtyre ditëve, nuk mund të kompensohet me asnjë vepër tjetër, sado e madhe të jetë. Shpejtoni dhe nxitoni sa nuk ka humbur koha, para se të pendohen të shkujdesurit dhe indiferentët, para se të kërkohet kthimi sërish në këtë botë por të jetë e pamundur, para se shpirti të dalë nga ky trup, para se shpresa të këputet përfundimisht për vepra të mira dhe para se njeriu të burgoset në varrin e tij bashkë me veprat që ka bërë gjatë jetës.

Zoti e di më mirë

/AO