Vlera e dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes

Hoxhë Isa Tërshani

Të nderuar besimtarë, jemi në prag të një muaji të madh-shenjtë, muajit dhul-hixhe.
E falënderojmë Allahun xh.sh., i Cili e ka krijuar kohën dhe i ka veçuar disa ditë, net e muaj më të vlefshme se të tjerat, ku shpërblimet janë të shumëfishuara, si mëshirë ndaj robërve të Tij. Kjo na inkurajon të bëjmë më shumë vepra të mira, dhe na bën më të përkushtuar për ta adhuruar Allahun e Madhërishëm, në mënyrë që të fitojmë shpërblime të mëdha. Ky sezon i adhurimit sjell përfitime të shumta, si mundësi për t’i korrigjuar gabimet tona dhe të fitojmë faljen e mëkateve duke iu kthyer Zotit me punë të mira. E s’ka dyshim se dhjetë ditët e para të këtij muaji janë shumë me vlerë, saqë Vetë Zoti i Madhëruar betohet: “Pasha agimin, dhe dhjetë netët, pasha çiftin dhe pasha tekun!”(1)
Dijetarët, duke iu referuar ajetit të sipërcituar janë shprehur se këto ditë janë ditët më të mira të vitit. Person i lumtur është ai që e shfrytëzon shumicën e këtyre ditëve dhe orëve të veçanta dhe i afrohet Zotit të tij përmes akteve të adhurimit. Myslimani duhet ta kuptojë vlerën e jetës së tij, ta shtojë adhurimin e tij ndaj Allahut dhe të këmbëngul që të bëjë vepra të mira, deri në momentin e vdekjes. Allahu xh.sh. thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd deri të të vjen ty e vërteta (vdekja).”(2)
Prej sezoneve të mëdha të ibadeteve janë edhe dhjetë ditët e para të muajit dhul-hixhe. Këto ditë Allahu i ka veçuar nga të gjitha ditët e vitit. Transmetohet nga Ibën Abasi se Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që veprat e mira janë më të dashura tek Allahu se sa këto dhjetë ditë. I thanë, e as xhihadi në rrugën e Allahut! Tha: As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç nëse del njeriu me vetën e tij dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë.”(3)
Këto argumente dhe të tjera, tregojnë se këto dhjetë ditë janë më të vlefshme se të gjitha ditët e vitit. Gjersa janë më të vlefshme se edhe dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por, dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të vlefshme për shkak të përfshirjes së natës së Kadrit në të, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj.

Pse janë kaq të vlefshme këto ditë?

E para, Allahu është betuar në këto ditë. Betimi është argument për rëndësinë dhe dobinë e saj; e dyta, Muhamedi a.s., ka dëshmuar se këto ditë janë ditët më të vlefshme të kësaj bote, sikur që tregoj për këto hadithi i lartpërmendur; e treta, Pejgamberi a.s., i ka nxitë besimtarët në vepra të mira në këto ditë për shkak të vlerës së kohës dhe vlerës së vendit për haxhilerët; e katërta, Pejgamberi a.s., na ka urdhëruar që të shpeshtojmë dhikrin, për këtë, transmetohet nga Abdullah b. Umeri se Pejgamberi a.s. ka thënë: “… Shpeshtoni në të fjalët La ilahe il-la Allah, Allahu ekber, dhe elhamdulilah.”(4); e pesta, në këto ditë është dita e Arafatit. Në këtë ditë Allahu xh.sh., e ka plotësuar për robërit e Tij fenë e Tij. Agjërimi i kësaj dite i shlyen mëkatet e dy viteve. Po në këto dhjetë ditë është edhe dita e kurbanit, e që është prej ditëve më të vlefshme në përgjithësi; e gjashta, në këto ditë bashkohen dy ibadetet, e ato janë haxhi dhe kurbani.
Të arrish këto ditë është një begati e madhe, prej begative të Allahut ndaj robërve të Tij është se i ka shumuar rrugët e veprave të mira.

Çfarë është mirë të bëjmë në këto ditë?

1. Pendimi nga të gjitha mëkatet dhe istigfari, e që duhet ta themi sa më shumë dhe sa më shpesh;
2. T’u kërkojmë falje njerëzve që i kemi bërë zullum (padrejtësi), qoftë përmes fjalës, apo ndonjë veprimi, apo kthimin e borxhit, apo pagesave të veresieve etj.;
3. Të mos na ikin namazet, sepse lënia e namazit, konsiderohet ndër mëkatet më të mëdha në raport mes njeriut dhe Zotit;
4. Bamirësia ndaj prindërve;
5. Të largohemi nga mëkatet, qofshin ato edhe të voglat sipas mundësive, sepse mëkatet në këto ditë janë shumë më të mëdha se në ditët e tjera;
6. Agjërimi vullnetar, e sidomos agjërimi i ditës së Arafatit, për të cilën Muhamedi a.s. ka thënë: “Shpresoj që Allahu të m’i ketë falur mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që vjen.”(5)
7. Të mundohemi të japim sadaka për çdo ditë nga këto ditë;
8. Leximi i Kuranit.
9. Mundohu që të hulumtosh një familje që ka nevojë, dhe ta gëzosh atë familje, duke i përgatitur (financuar) drekën e Bajramit dhe duke ia gëzuar fëmijët me veshje për Bajram.

Le të përfitojmë nga këto shanse në këto ditë madhështore.

_________
1. El-Fexhr, 1-3.
2. 2 El-Hixhr, 99.
3. 3 Buhariu, 457.
4. 4 Ahmedi, 224.
5. 5 Muslimi, 1162.

Nga: Hoxhë Isa Tërshani /islamgjakova