Vlera e sadakasë

Një nënë sa herë që ndonjëri prej fëmijëve të saj kishte probleme me moralin jepte sadaka dhe ndihmonte nevojtarët. Ajo lexonte ajetin “Merr nga pasuria e tyre sadaka që t’i pastrosh dhe edukosh (rregullosh) ata me të” dhe thoshte: O Allahu im! Kjo është për rregullimin e moralit të fëmijës tim sepse shthurja e tij morale është më e rëndë për mua sesa sëmundja e tij.

Një nënë tjetër nuk kishte mundësi të jepte sadaka për keqtrajtimin që i bënte djali apo bashkëshorti i saj, por ngrihej dhe falte namaz nate duke kënduar suren Bekare dhe lutej: O Allahu im! Kjo është sadakaja ime, pranoje prej meje dhe rregulloje sjelljen e tij.

Adhurojeni Allahun me nijetin për të rregulluar fëmijët tuaj, sepse nese ata e çojnë dëm mundin tuaj nuk mund t’i çojnë dëm nijetet tuaja.

“Le të kenë kujdes ata (në prag të vdekjes) nëse pas tyre kanë lënë pasardhës të dobët për të cilët kanë frikë(si do të jetë gjendja e tyre), prandaj le të jenë të devotshëm ndaj Allahut dhe le t’ju thonë atyre fjalë të mira”.

Përse i vdekuri zgjedh sadakanë si punë të cilën do ta bënte nëse Allahu do t’i jepte mundësi të rikthehej edhe njëherë në jetë?! Ai thotë: “Zoti im! Nëse do më vonojë vdekjen deri në një afat të afërt atëherë unë do të jap sadaka”…dhe nuk thotë do të bëj umre, do të fal namaz apo do të agjëroj?

Dijetarët kanë thënë: I vdekuri e përmend sadakanë për shkak të ndikimit të madh që ka parë prej saj pas vdekjes, prandaj shtoni sadakatë sepse besimtari Ditën e Kijametit do te jetë nën hijen e sadakasë së tij.

Përktheu: Indrit Lita