VV kundër Speciales, por e quan të padrejtë tendencën për shfuqizimin e saj

Gjykata Speciale dhe tendenca për shfuqizimin e saj, ishin temë që u diskutua në tryezën “Dhomat e specializuara dhe raporti me institucionet e Kosovës”, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Albulena Haxhiu tha specialja është gjykatë politike që synon të shtrembërojë luftën për liri të UÇK së, por tendenca për shfuqizimin e saj është e padrejtë.

“Më 22 dhjetor 2017 një grup i deputetëve kërkuan shfuqizim të ligjit. Vetëvendosje ka pasur qëndrim të qartë edhe për këtë tendencë. E kemi konsideruar si nismë jo serioze. Në mënyrë tinëzare dhe jo serioze. Ata deputetë përfaqësonin interesat e individëve, prandaj nuk e kemi mbështetur projektligjin, i cili u procedua tashmë në qeveri”, tha ajo.

Glauk Konjufca tha se ‘specialen e themeluan letrat e Atifete Jahjagës’ dhe nëse presidenti Hashim Thaçi është për shfuqizimin e saj, atëherë duhet të tregojë.

“Përgjegjësit kryesorë që po e iniciojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë Thaçi, Veseli dhe Haradinaj. Nëse dhomat e specializuara janë themeluar nga letrat e Jahjagës, Hashim Thaçi duhet të pozicionohet. Nëse Thaçi dëshiron që gjykata të zhbëhet duhet të tregojë çka mendon për letrat e Jahjagës. Nëse Thaçi mendon që dhomat nuk janë të drejta, duhet t’i shkruaj letër Mogherinit dhe të thotë se nuk qëndron prapa letrave të Jahjagës dhe të distancohet. Për sa kohë që ekziston letra e Jahjagës, atëherë Hashim Thaçi duhet të pozicionohet”, tha ai.

E kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se iniciativa për shfuqizimin e Speciales synon largimin e heqjes së emrit të Hashim Thaçit nga lista e të akuzuarve.