WhatsApp me pagesë ose me reklama? Reagon Meta

FT citonte burime të afërta me çështjen ndërsa shtoi se Meta gjithashtu kishte menduar të vendoste një tarifë për një WhatsApp pa reklama.

Shefi i WhatsApp mohoi ditën e Premte një raport të Financial Times i cili thoshte se platforma e komunikimit e Meta ishte duke eksploruar mundësinë e vendosjes së reklamave për të rritur të ardhurat.

“Lajmi i FT është i pavërtetë. Nuk kemi në plan ta bëjmë këtë,” tha shefi i WhatsApp Will Cathcart përmes një postimi në median sociale X.

Raporti tha se ekipet e Meta ishin duke diskutuar për të vendosur ose jo reklama në listën e bisedave në WhatsApp, por një vendim përfundimtar nuk ishte marrë akoma.

FT citonte burime të afërta me çështjen ndërsa shtoi se Meta gjithashtu kishte menduar të vendoste një tarifë për një WhatsApp pa reklama.

WhatsApp tha se “nuk mund të merret për bazë çdo bisedë brenda kompanisë sonë, por ne nuk jemi duke e testuar, punuar në të dhe nuk është fare në planet tona.”

FT gjithashtu tha se shumë punonjës brenda kompanisë ishin kundër kësaj lëvizje. Facebook bleu WhatsApp për 19 miliardë dollarë në 2014-ën dhe që atëherë ka qenë një aplikacion pa pagesë komunikimi.

Nga ana tjetër Meta ka punuar për të rritur të ardhurat nga WhatsApp. CEO Mark Zuckerberg tha vitin e kaluar se WhatsApp dhe Messenger do të udhëhiqnin valën e re të rritjes së shitjeve të kompanisë si shtyllat e saj kryesore.

WhatsApp Business ka 200 milionë përdorues në platformë, katër herë më shumë sesa tre vite më parë.