Zaev tregon se çfarë propozimi dorëzoi në Sofje!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për TV21 ka zbuluar propozimin e shumëfolur, të cilin e dorëzoi te Sofja zyrtare më 17 qershor dhe për të cilin, opozita akuzoi se bëhet fjalë për negociatat për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Zaev ka treguar, se autoriteteve bullgare u ka dorëzuar Udhëzuesin për zbatim të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, dhe propozimi për të cilin është përfolur ditëve paraprake, nuk ka të bëjë me negociata për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Që kur doli ky informacion i pasaktë, menjëherë e demantuam nga Qeveria. Disa herë e kemi përsëritur dhe atë gjithkund publikisht dhe para të gjitha institucioneve evropiane – për gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas nuk negociojmë, as që ka të drejtë ndokush që të negociojë. Propozimin që e kemi dorëzuar në Bullgari është Udhëzuesi. (Road Map). Në përputhje të së cilit, të dy palët obligohemi për rritje të efikasitetit në të gjitha fushat të bashkëpunimit me afate konkrete dhe detyrim të institucioneve, mes të cilëve është edhe propozimi për intesitetin e punës në të ardhmen të Komisionit historik-arsimor mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, tha për TV21, Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Propozimin, kryeministri teknik i Bullgarisë, Stefan Janev e cilësoi si “konkret” ndërkaq, tha se do të shqyrtohet periudhës që vijon nga autoritetet bullgare.

Por, as Zaevi dhe as Janev për ditë të tëra nuk dhanë detaje nga i njëjti.