Zelenskyy: Duhet zgjidhje diplomatike për rimarrjen e disa territoreve nga Rusia

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se “do të jetë e vështirë të merren duke përdorur forcë” disa territore që Moska i ka konfiskuar në luftën Rusi-Ukrainë dhe se për këtë çështje duhet të gjendet zgjidhje diplomatike, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për agjencinë “Kyodo” të Japonisë, Zelenkyy tha se mbështetja e partnerëve për vendin e tij në luftë është e “pamjaftueshme”.

Zelenskyy i bëri thirrje NATO-s që të ftojë Ukrainën për “bisedime anëtarësimi”. Ai tha se do të jetë e “vështirë të merren duke përdorur forcë” Krimeja e aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia në vitin 2014 dhe disa rajone që ajo ka marrë në luftë dhe se për këtë çështje duhet të gjendet zgjidhje diplomatike.

Ai thekson se lufta ka hyrë në një “periudhë të komplikuar” ndërsa shtoi se janë të gatshëm të negociojnë me Rusinë në rast të pranimit të disa kushteve.

Lidhur me dërgimin e ushtarëve të Koresë së Veriut për të luftuar në radhët e Rusisë kundër Ukrainës, Zelenskyy tërhoqi vëmendjen se disa prej këtyre ushtarëve janë vrarë. “Stërvitja e ushtarëve të Koresë së Veriut nga ushtria ruse do të ketë efekte të mëdha në Azi”, tha Zelenskyy.

Presidenti ukrainas tha se Donald Trump, i cili u zgjodh president i SHBA-së dhe ekipi i tij po punojnë për Ukrainën.