Zëri i Hind Rajab – një dramë tronditëse bazuar në ngjarje të vërteta, së shpejti në kinema

Në janar 2024, një vajzë palestineze pesëvjeçare, Hind Rajab, mbeti e vetme brenda një makine në Gaza pasi kushërinjtë, halla dhe xhaxhai i saj u vranë pas një sulmi nga tanket izraelite. Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe arriti të fliste me vajzën në telefon, duke u përpjekur ta qetësonte ndërsa organizonte mbërritjen e një ambulance. Regjistrimet e këtyre bisedave telefonike u publikuan në rrjetet sociale dhe shkaktuan reagime të mëdha.

Tani, këto regjistrime janë shndërruar në bazën e një drame të fuqishme të regjisores tuniziane Kaouther Ben Hania. Filmi zhvillohet i gjithi brenda një zyre të Gjysmëhënës së Kuqe, ku vullnetarët interpretohen nga aktorë, ndërsa zëri i Hindit është real, i marrë nga telefonatat origjinale – një element që e bën përjetimin edhe më të dhimbshëm.

Kritiku Nick Howells nga The Standard e përshkruan filmin si “tronditës dhe emocionalisht shkatërrues në ekstrem”, duke e quajtur dramën për vdekjen e Hind Rajab “një vepër absolutisht thelbësore”.

Filmi publikohet në SHBA më 17 dhjetor. /mesazhi