ZPS-ja konfirmon se po kryen bastisje në Kosovë

Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka konfirmuar nëse është duke kryer bastisje në banesën e Artan Behramit, ish-këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Por, në një përgjigje për Tëvë 1, nga ZPS-ja thonë se janë duke kryer vazhdimisht operacione në Kosovë, mbështetur nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.

Zyrtarët policorë të Kosovës janë vendosur mëngjesin e sotëm para banesës së Behramit.

Deri tani nuk ka ndonjë informatë zyrtare përse PK-ja po qëndron aty.

Teksa në parkingun e ndërtesës janë edhe veturat e EULEX-it.

Gjatë ditës së djeshme, Behrami ka reaguar pasi Prokuroria e Gjykatës Speciale me seli në Hagë ka kryer bastisje në banesën e dy ish-këshilltarëve të ish-presidentit Thaçi, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt.

Ai është shprehur se këto bastitje janë skandaloze dhe të paprecedent.