16GB RAM mund të bëhen standardi i ri i kompjuterëve falë inteligjencës artificiale

TrendForce raporton se Microsoft ka vendosur një nivel bazë prej 16GB RAM për një kompjuter me funksionalitete AI.

Standardi i rekomanduar sot i sasisë së memories RAM është 8GB për një kompjuter Windows që të operojë rrjedhshëm pa asnjë ngecje, edhe pse ka disa prodhues laptopësh që sot në 2024 mendojnë që 4GB RAM janë të pranueshme.

Megjithatë një raport i fundit, që citon vetë Microsoft, sugjeron që sasia RAM e nevojshme për përdorimin e funksionaliteteve AI duhet të rritet akoma më tutje.

TrendForce raporton se Microsoft ka vendosur një nivel bazë prej 16GB RAM për një kompjuter me funksionalitete AI. Megjithatë duket se kemi të bëjmë me një limit të sugjeruar dhe jo imponuar përmes dokumentacionit të Microsoft.

Kujtojmë se shumë funksionalitete të Copilot në Windows mbështeten në serverë, përfshirë GPT dhe DALL-E.

Por funksionalitetet e ardhshme AI mund të mbështeten më tepër në harduerët lokalë. Për këtë arsye gjigantët e çipeve si Intel dhe AMD kanë filluar të integrojnë Njësi Neurale Përpunimit (NPU) për të mbështetur proceset AI në gjeneratën e 14-të dhe Ryzen 8000 respektivisht.

Kjo do të thotë se Microsoft me shumë gjasa do të shtyjë partnerët e harduerit të vendosin minimalisht 16GB RAM nëse duan që të ofrojnë Copilot dhe funksionalitetet AI të fundit të Windows 11.

Ata që kanë vuajtur më tepër historikisht me RAM-in e kufizuar janë përdoruesit e laptopëve ku prodhuesit e tyre në shumicën e rasteve nuk lejojnë shtimin e sasitë së saj.