Akademikët muslimanë në Spanjë përballen me diskriminim

Akademikët spanjollë që konvertohen në Islam fshehin se janë muslimanë në mënyrë që karriera e tyre të mos dëmtohet, tha të enjten një akademike e tillë që punon në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke folur për Anadolu, Luci Hurtado theksoi diskriminimin ndaj akademikëve muslimanë në universitetet në Spanjë.

Hurtado tha se ishte katolike përpara se të bëhej muslimane në vitin 2010.

Duke vënë në dukje se ajo nuk mund të merrte përgjigje të qarta nga njerëzit përreth saj për pyetjet rreth krishterimit dhe se zbuloi Islamin gjatë hulumtimit të historisë së Spanjës për të pastruar mendjen e saj, Hurtado theksoi se vendimi i saj për t’u bërë muslimane ishte një hap i madh, sepse ajo e dinte se do të përjashtohej nga rrethi i saj shoqëror pasi të konvertohej.

Hurtado tha se ajo hasi reagime të forta dhe diskriminim kur i tha familjes dhe miqve të saj të ngushtë se ajo ishte muslimane, duke shtuar se babai i saj e refuzoi vendimin e saj për t’u konvertuar në Islam.

Ajo tha se iu bashkua një komuniteti të themeluar nga spanjollët muslimanë për të bërë miq kur ajo u përjashtua nga rrethi i saj shoqëror. Ajo vuri në dukje se edhe të tjerë si ajo u ankuan se ishin diskriminuar nga shoqëria.

Hurtado tha se ajo mori një doktoraturë në marrëdhëniet ndërkombëtare në një nga universitetet prestigjioze në Spanjë në vitin 2011 dhe se ajo nuk ishte diskriminuar sepse nuk mbante shami në atë kohë, por spanjollët muslimanë rreth saj u përjashtuan nga akademia.

Ajo vuri në dukje se akademikët spanjollë që janë muslimanë janë më të shtypur se akademikët muslimanë që vijnë nga vendet e huaja.

Ajo tha se filloi të përballej me diskriminim edhe para jetës akademike.

“Presioni fillon para se të hysh në jetën akademike. Të hulumtojnë gjatë gjatë aplikimit. Kjo nuk është një gjë procedurale. Profesorët e departamentit thërrasin profesorët e tu në universitetin nga vjen dhe hetojnë nëse je musliman apo një person ‘radikal’. Nëse del se je musliman, nuk pranohesh në akademi. Nëse pyet njerëzit që e bëjnë këtë, ata e mohojnë sepse kjo që po bëjnë është e paligjshme”, tha ajo.

Hurtado vuri në dukje se akademikët spanjollë që u zbuluan se ishin muslimanë u cilësuan si “tradhtarë që tradhtuan vendin e tyre”.

Ajo tha se pedagogët spanjollë që janë muslimanë gjithashtu kanë vështirësi të mëdha për të aplikuar në universitete të tjera.

“Asnjë akademik spanjoll që zgjedh të bëhet musliman nuk do t’u përgjigjet pyetjeve që ju më bëni sepse kanë frikë se mos stigmatizohen dhe ekspozohen. Universitetet që ne aplikojmë të shikojnë fenë tonë më shumë sesa karrierën tonë akademike. Nëse rezulton se ne jemi muslimanë , besueshmëria e artikujve, analizave dhe hulumtimeve tona do të vihet në dyshim.”

Hurtado tha se këshilltarët e tezës nuk folën kundër bullizmit akademik edhe pse ata mendonin se kjo ishte e gabuar, duke shtuar se nevoja e ndjerë nga spanjollët muslimanë për të fshehur fenë e tyre u ka shkaktuar atyre stres dhe probleme psikologjike. /mesazhi