Apple lançon përditësime urgjente sigurie për iOS, iPadOS, macOS dhe watchOS

Përdoruesit e shqetësuar nga probleme të tilla të sigurisë mund që të mbrohen proaktivisht duke aktivizuar Lockdown Mode në iOS dhe macOS që bllokon vektorë të ndryshëm sulmesh që hakerët mund të përdorin për të kompromentuar pajisjet e tyre.

Apple publikoi përditësime sigurie për iOS, iPadOS, macOS dhe watchOS për të adresuar dy probleme sigurie të cilat po shfrytëzoheshin për instalimin e maluerëve.

iOS 16.6.1, iPadOS 16.6.1, macOS 13.5.2 dhe watchOS 9.6.2 adresojnë problemet e sigurisë në të gjitha platformat e Apple. Në këto momente që shkruajmë nuk është publikuar asnjë përditësim për versionet e vjetra të platformave si iOS 15 dhe macOS 12.

Dobësitë e sigurisë CVE-2023-41064 dhe CVE-2023-41061 u raportuan nga Citizen Lab pjesë e Universitetit të Toronto. Citizen Lab tha se problemet konsiderohet serioze sepse mund të përdoren gjatë hapjes së një imazhi në shfletuesin Safari, aplikacionet Messages dhe WhatsApp dhe aplikacione të tjera të palëve të treta.

Këto probleme quhen edhe “zero-click” sepse nuk kërkojnë ndërveprimin e përdoruesit. Quajtur BLASTPASS, problemi është përdorur për të dërguar përgjuesin mercenar Pegasus të kompanisë famëkeqe Izraelite NSO Group.

Përdoruesit e shqetësuar nga probleme të tilla të sigurisë mund që të mbrohen proaktivisht duke aktivizuar Lockdown Mode në iOS dhe macOS që bllokon vektorë të ndryshëm sulmesh që hakerët mund të përdorin për të kompromentuar pajisjet e tyre.

Këto përditësime mund të jenë të fundit përpara se Apple të prezantoi iOS 17, iPadOS 17 dhe softuerë të tjerë në evenimentin e javës që vjen.