Barcelona fitore të thellë ndaj Real Betisit

Barcelona është një hap më afër shpalljes kampion në La Liga për këtë sezon, pas fitores 4-0 ndaj Real Betisit në kuadër të javës së 32-të.

Pas 14 minutash lojë, katalunasit kaluan në epërsi me golin e Andreas Christensen, që shënoi me kokë nga një asistim i Raphinhas.

Situata për Betisin u përkeqësua edhe më shumë, kur Edgar Gonzalez 33’) pranoi edhe kartonin e dytë të verdhë, për t’i lënë ata me dhjetë lojtarë në fushë.

Pas vetëm tre minutash nga ajo situatë, Robert Lewandowski dyfishoi epërsinë për Barcelonën me asistimin e Jules Koundes.

Për 3-0 u përkujdes Raphinha në minutën e 39-të, kur u asistua prej Sergio Busquetsit.

Pjesa e dytë ishte më e qetë për nga numri i golave, pasi katalunasit u ndihmuan për 4-0.

Ishte një auto-gol nga Guido Rodriguez në minutën e 82-të, që solli një fitore të thellë për ekipin e Xavi Hernandez.

Një mundësi të artë për gol më pas e lëshoi Lewandowski (86’), kur nuk ia doli të mposhte për herë të dytë Rui Silvan.

Pas javës së 32-të, Barcelona ka mbajtur diferencën për 11 pikësh nga Real Madridi, pasi aktualisht kanë 79 sosh, me madrilenët që kanë 68, ndërsa në xhiron e 33-të – katalunasit takohen me Osasunan.