BE do të mbajë një samit për Brexit-in më 10 prill

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk njoftoi se ka vendosur që më 10 prill të mbajë një samit pasi Parlamenti britanik refuzoi marrëveshjen për Brexit-in për herë të tretë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim në Twitter, Tusk shkroi: “Kam vendosur mbajtjen e një samiti më 10 prill pasi Parlamenti britanik refuzoi marrëveshjen e largimit (Brexit)”.

Parlamenti britanik në një votim të zhvilluar sot refuzoi për herë të tretë marrëveshjen e ndarjes së arritur me BE-në.

Liderët e BE-së në një samit të zhvilluar javën e kaluar në Bruksel, vendosën shtyrjen e Brexit-it më 12 prill në rast se Britania e Madhe nuk do të pranonte marrëveshjen e largimit nga Unioni deri më 29 mars.