BioNTech pret 17 miliardë euro të ardhura nga vaksinat këtë vit

Kompania gjermane farmaceutike BioNTech ka deklaruar se vaksina kundër Covid-19 që ka zhvilluar në partneritet me Pfizer ka të ngjarë të gjenerojë deri në 17 miliardë euro të ardhura këtë vit, pasi janë miratuar dozat përforcuese dhe përdorimi tek fëmijët po rritet.

Bazuar në dërgesat e planifikuara deri në 2.5 miliardë doza deri më tani, BioNTech tha se pret 16 miliardë deri në 17 miliardë euro të ardhura nga vaksina këtë vit.

Kjo shifër është më e lartë se parashikimi në gusht prej 15.9 miliardë euro bazuar në dërgesat dhe porositë prej rreth 2.2 miliardë dozash në atë kohë.

Pfizer, nga ana e saj, javën e kaluar tha se priste të rezervonte 36 miliardë dollarë në vitin 2021 nga shitjet e vaksinave, dhe 29 miliardë dollarë të tjera nga vaksinimi në vitin 2022, duke i tejkaluar vlerësimet e analistëve për dy vitet.

Kompania përsëriti se asnjë e dhënë klinike deri më tani nuk sugjeron nevojën për një vaksinë të re që të trajtojë variantin shumë të transmetueshëm Delta, ose ndonjë variant tjetër aktual, duke pasur parasysh efikasitetin e dy ose tre dozave të vaksinës të prodhuar prej saj.

Megjithatë, është duke punuar në versionet e reja të vaksinave që synojnë variantet Delta dhe Alfa për të krijuar një rutinë zhvillimi dhe nisjeje në rast se në të ardhmen lind nevoja për t’u përshtatur me variantet ende të panjohura.

Prodhuesit e tjerë të vaksinave, si AstraZeneca (AZN.L) dhe partneri i saj Universiteti i Oksfordit, kanë përqafuar një qasje të ngjashme, veçanërisht për t’iu përgjigjur shpejt çdo mutacioni të ardhshëm që i mundëson virusit t’i shmanget vaksinave aktuale në përdorim.

BioNTech ripohoi deklaratat e partnerëve se ata presin të prodhojnë deri në 3 miliardë doza deri në fund të vitit 2021 dhe potencialisht deri në 4 miliardë doza në 2022. /monitor