Gjithçka filloi nëpërmjet një peticioni nga përfaqësuesit e organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ku kërkonin ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Pas mbledhjes së 15 mijë nënshkrimeve, peticionin e dorëzuan në Kuvend, ku gjeti përkrahjen e 43 deputetëve.
Por një iniciativë e tillë dështoi, në mungesë të kourumit.
E këtu filluan reagimet e fuqishme të ambasadorëve të Quintit, të cilët e vlerësuan këtë veprim si një “thikë pas shpine”.
U përmend izolimi i Kosovës në rast të zhbërjes së Speciales.
Madje për këtë qëllim thuhet se iu refuzua viza amerikane kryeministrit Haradinaj.
E sot kur e njëjta kërkesë pritej të procedohet në Kuvend nga Kryesia, ambasadori amerikan, Greg Delawie, përmes një konference për media dha një mesazh për ata që përkrahin zhbërjen e Speciales.
Tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, por shtoi se kjo Gjykatë do të hetojë disa individë që kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve.
Ligji për Gjykatën Speciale në Kosovë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa Gjykata është bërë operacionale vitin e kaluar ndonëse ende nuk ka lëshuar asnjë aktakuzë ndaj të dyshuarve për krime lufte.