Ditëlindja!?

Vehbi Zeqiri

Ditëlindja simbolizon dhe nënkupton, ditën e mundimit dhe sakrificës së sjelljes në jetë të një qenie njerëzore. Më meritorët për ta kujtuar këtë ditë janë protagonistët të cilët kanë marrë mundin dhe sakrificën që të sjellin në jetë një apo më shumë qenie njerëzore.

 

Gjithashtu edhe data të tjera të rëndësishme që njerëzit i përkujtojnë, më të denjat që të përmendën janë ato të cilat lidhen me sakrificën dhe aktivitetin e individëve apo grupeve të caktuara të cilat kanë rezultuar në interes të përgjithshëm të shoqërisë.

 

Nëse një aktivitet i caktuar me rastin e datëlindjes së dikujt, ndikon pozitivisht dhe e motivon të njëjtin që të bëhet më i dobishëm për shoqërinë, atëherë mund të merret në konsideratë!?

 

Pse ne të cilët nuk kemi kontribuar asgjë, duhet të mburremi apo edhe të festojmë?

Nëse një ekip futbolli i caktuar fiton një ndeshje, pse gjithë këta njerëz gëzohen apo mburren kur nuk kanë dhënë asnjë kontribut të vetëm për atë fitore?  Reflektimi dhe meditimi rreth kësaj do të na bënte shumë dobi dhe do të na kursente prej harxhimit të energjisë dhe kohës për gjëra të kota.

 

‘Më mirë të jesh lojtar (kontribuues) se sa spektator!?’ – Vehbi Zeqiri

 

Pas kësaj sakrifice që të tjerët kanë bërë qe ne sot të jemi në këtë botë, cilat janë sakrificat dhe mundimet tona, që së paku jetën tonë ta drejtojmë kah mirësia, progresi, dhe transformimi pozitiv? Cilat janë të arriturat tona me të cilat do të identifikohemi (përmendemi) edhe pasi të kalojmë në botën e përtejme (Ahiret)?

 

Po që se nuk ndërmarrim asgjë në këtë drejtim, ata që sakrifikuan dhe u munduan për ne, do të dëshpërohen por edhe ne do të dëshpërohemi fort prej mos punës, neglizhencës, dhe mos përmirësimit dhe avancimit në jetë.

Më mirë i lodhur se sa i zhgënjyer!

 

Uroj mirësi, zhvillim, avancim, dhe kontribut për shoqërinë në jetën tuaj!

Nga: Vehbi Zeqiri