Drita e pa fat eliminohet në fund nga 15-herë kampioni i Holandës

Nën-kampioni i Kosovës është mposhtur më vështirësi dhe me rezultat të ngushtë 3-2 nga Feyenoordi në ndeshjen kthyese të raundit të dytë në Ligën e Konferencës.

Drita zhvilloi një ndeshje brilante ndaj gjigantit holandez në takimin e zhvilluar në stadiumin De Kuip të Rotterdamit dhe ishte afër të bënte befasinë pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Prishtinë.

Megjithatë, përvoja e vendasve bëri që në fund të jenë ata fituesit dhe ekipi që kalon tutje në raundin e tretë të garës së tretë më të vlefshme evropiane.

Pjesa e parë e takimit ishte thuajse e barabartë, me vendasit që patën diçka më shumë nga loja, por me mysafirët gjilanas që ishin më konkret duke shënuar dy gola kundrejt një të vendasve.

Vendasit holandez arritën te gjejnë shpejtë golin në minutën e shtatë duke kaluar në epërsi 1-0 me anë të Guus Til, por Drita u rikthye në lojë duke befasuar të gjithë me dy gola brenda katër minutave.

Fillimisht ishte Marko Simonovski, i cili shënoi në minutën e 12-të për 1-1, ndërsa Astrit Fazliu (16’) shënoi për 1-2 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në epërsi.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë thuajse e barabartë, me Dritën që pati raste më të mira, por pa arritur t’i konkretizoj, ndërsa vendasit me përvojën e tyre arritën të shënojnë dy gola dhe të fitojnë në fund ndeshjen.

Guus Til ishte përsëri ai që shënoi në minutën e 68-të për të barazuar rezultat në 2-2, ndërsa po i njëjti lojtar shënoi në shtesë për 3-2 duke kompletuar het-trikun.

Deri në fund, Drita pati edhe një rast për të shënuar, por nuk e konkretizoi dhe u desh të kënaqen me një super-paraqitje dhe një humbje minimale 3-2 nga një gjigant evropian si Feyeenoord.

Në raundin e tretë, Feyenoordi do të luajë me zviceranët e Luzernit.