Ballina Sport Futboll Dukagjini e Ferizaj befasojnë Ballkanin e Llapin në Kupë

Dukagjini e Ferizaj befasojnë Ballkanin e Llapin në Kupë

Ballkani dhe Llapi, janë befasuar në ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, të zhvilluara të mërkurën.

Të dyja skuadrat, kanë pësuar humbje në shtëpi duke bërë një hap prapa sa i përket kualifikimit në finalen e Kupës.

Ballkani pësoi 3:0 në Suharekë nga Dukagjini, ndërsa Llapi u mposht në Podujevë nga skuadra e Ferizajt.

Dy gola në 45 minutat e para dhe një tjetër në 45 minutat e dyta, vulosën fitoren e Dukagjinit, ekip që me një këmbë është në finale.

Hekuran Berisha në minutën e tetë, Mërgim Pefqeli në minutën e 37-të dhe Meris Maliqi në minutën e gjashtë të kohës shtesë, shënuan për triumfin e madh të Dukagjinit.

Edhe Ferizaj e mposhti Llapin por me shifrat 2:1, ku një gol u shënua në pjesën e parë dhe dy të tjerët në pjesën e dytë.

Sulmuesi i Llapit, Muhamet Hyseni shënoi autogol në minutën e 14-të, ndërsa në minutën e 87-të, Kushtrim Shabani dyfishoi epërsinë e Ferizajt, përpara se në minutën e katërt të kohës shtesë Besar Musolli ta realizoi për rezultatin përfundimtar.

Ndeshjet e kthimit kur edhe përcaktohen skuadrat finaliste të Kupës së Kosovës, zhvillohen më 22 prill në Klinë dhe Ferizaj.