EA dhe Codemasters zbulojnë datën e debutimit të F1 2023

Studioja ka përmirësuar fuqinë motorike dhe inercinë, balancuar aerodinamikën dhe kontaktin e gomave me asfaltin duke krijuar një realizëm më të shtuar.

EA dhe Codemasters kanë zbuluar më shumë detaje për edicionin e këtij viti të serive Formula 1. F1 23 do të mbërrijë në PS4, PS5, Xbox One, Xbox Series X/S dhe PC përmes EA App, Steam dhe Epic Games më 16 Qershor.

Mes shumë risive, loja do të ketë rikthim të modalitetit Braking Point. Ky modalitet loje debutoi në F1 2021 por nuk ishte prezent deri në edicionin e vitit të kaluar.

Kësaj here Dev Butler dhe Aiden Jackson janë bashkëlojtarë ndërsa herën e fundit i pari ishte antagonist. Përdoruesit mund të presin karaktere të reja, sfida dhe rivalitete.

Codemasters gjithashtu ka përditësuar drejtimin e makinës bazuar në përshtypjet e lëna nga ekipet e F1. Makinat thuhet se kanë sjellje më të parashikueshme kësaj here së bashku me më shumë fërkim kur frenojnë, përshpejtojnë dhe dalin prej kthesave.

Studioja ka përmirësuar fuqinë motorike dhe inercinë, balancuar aerodinamikën dhe kontaktin e gomave me asfaltin duke krijuar një realizëm më të shtuar.

Çdo pilot, ekip dhe cirkuit nga F1 në të vërtetë është edhe tek video loja përfshirë rrugët e Las Vegas Grand Prix.