Elon Musk tha se do të lançojë një rival të ChatGPT quajtur TruthGPT

Ai tha se TruthGPT do të mund të jetë rruga më e mirë drejt sigurisë dhe nuk ka gjasa që të shkatërrojë njerëzimin.

Miliarderi Elon Musk tha ditën e Hënë se do të lançojë një platformë të inteligjencës artificiale të cilën e quajti “TruthGPT” për të sfiduar shërbimet e Microsoft dhe Google.

Ai kritikoi OpenAI mbështetur nga Microsoft, kompania pas robotit sensacional të bashkëbisedimit ChatGPT, duke thënë se e kanë trajnuar AI për të gënjyer dhe tashmë është shndërruar në një organizatë “fitimprurëse” e lidhur ngushtë me Microsoft.

Musk gjithashtu akuzoi Larry Page, bashkëthemeluesin e Google, se nuk e ka marrë seriozisht sigurinë e AI.

“Do të fillojë diçka të cilën e quaj “TruthGPT”, ose një AI që vihet në kërkim të së vërtetës dhe përpiqet të kuptojë natyrën e universit,” tha Musk gjatë një interviste për Fox News që u bë publike ditën e Hënë.

Ai tha se TruthGPT do të mund të jetë rruga më e mirë drejt sigurisë dhe nuk ka gjasa që të shkatërrojë njerëzimin.

“Thjeshtë po fillon me vonesë. Por do të përpiqem të krijoj një opsion të tretë,” tha Musk.

Musk prej kohësh ka filluar të afrojë hulumtuesit AI nga Alphabet(Google) për të lançuar një startup rival OpenAI. Muajin e kaluar regjistroi një kompani quajtur X.AI ku ai vetë është drejtor ekzekutiv.

Shkatërrimi i njerëzimit

Lëvizja e Elon Musk vjen pasi një grup ekspertësh të inteligjencës artificiale dhe ekzekutivë të industrisë bënë thirrje për ndërprerjen e përkohshme të zhvillimit të sistemeve AI duke i cituar si rrezik për shoqërinë.

Të njëjtën qëndrim Musk përsëriti edhe gjatë intervistës me gazetarin e Fox News Tucker Carlson. “Ka potencialin për të shkatërruar civilizimin,” tha Musk.

Kujtojmë se Musk ishte një prej themeluesve të OpenAI në 2015-ën por u largua nga bordi i kompanisë në 2018-ën. Në 2019-ën kishte thënë se është larguar nga OpenAI për tu përqendruar tek Tesla dhe SpaceX.