Erdoğan bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm për masakrën në Gaza

Erdoğan tha se Hamasi nuk është organizatë terroriste, por një grup çlirimtarësh dhe muxhahidinësh (luftëtarësh) që po luftojnë për të mbrojtur territorin dhe popullin e tyre.

Të gjitha palët në luftën palestinezo-izraelite duhet të pushojnë të shtënat, tha të mërkurën presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Në një diskutim të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara, Erdoğan tha se para 7 tetorit, kur shpërtheu konflikti, ai kishte planifikuar të vizitonte Izraelin, por më pas i anuloi planet e tilla.

Ai tha se vendi i tij nuk do ta lejonte kurrë Izraelin të kryente krime.

Pothuajse gjysma e të vrarëve në sulmet e Izraelit në Gaza deri më tani kanë qenë fëmijë, gjë që tregon se qëllimi është brutaliteti i planifikuar për të kryer krime kundër njerëzimit, shtoi Erdoğan.

Ai vuri në dukje se ata që dolën në mbrojtje të botës në luftën e Rusisë kundër Ukrainës tani heshtin për masakrën në Gaza, e cila, tha ai, është “shprehja më konkrete e hipokrizisë”.

Erdoğan akuzoi vendet jashtë rajonit të Lindjes së Mesme se vetëm “i hedhin benzinë ​​zjarrit” duke mbështetur Izraelin, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) gjithashtu do të humbasin sepse nuk duan që bota të drejtohet me drejtësi.

Ai theksoi se Ankaraja zyrtare është veçanërisht e prekur nga pafuqia në të cilën ka rënë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe askush nuk e merr më seriozisht, sepse OKB-ja i ka mbyllur sytë para vrasjeve brutale të fëmijëve.

Kritikat e Turqisë për strukturën e padrejtë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë konfirmuar sërish nga zhvillimet e fundit, shtoi presidenti turk, duke kujtuar se një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit vuri veton ndaj rezolutës për armëpushim në Lindjen e Mesme.

Erdoğan përsëriti sloganin e tij të famshëm për reformën e OKB-së, duke thënë: “Bota është më e madhe se pesë”, duke aluduar për pesë anëtarët e përhershëm me veto të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Sulmet izraelite në Gaza janë për ata që i kryejnë dhe për ata që i mbështesin, një shenjë e një gjendje vrasjeje dhe sëmundjeje mendore”, shtoi ai.

Erdoğan tha gjithashtu se Hamasi nuk është organizatë terroriste, por një grup çlirimtarësh dhe muxhahidinësh (luftëtarësh) që po luftojnë për të mbrojtur territorin dhe popullin e tyre.

“Veprimet e përbashkëta të vendeve islamike së pari do të çonin në një armëpushim dhe më pas në paqe të përhershme në Lindjen e Mesme”, tha ai.

Populli hebre e di shumë mirë se Turqia është i vetmi vend që ka qenë pa antisemitizëm për shekuj, shtoi Erdoğan.

“Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve me arsye dhe ndërgjegje që të bëjnë presion mbi qeverinë e Netanyahut për ta kthyer shtetin e Izraelit në sensin e tij të shëndoshë,” vuri në dukje ai.

Ai tha se Turqia është e gatshme të jetë një nga garantuesit e paqes për palën palestineze, me kapacitetet e saj humanitare, politike dhe ushtarake. /trt