Gjilani i pandalshëm, Drenica ‘viktima’ e radhës

Gjilani ka vazhduar si skuadër e pamposhtur në këtë vit të garave në Superligë.

Skuadra e Arbnor Morinës arriti fitore me rezultat 2-1 në përballje me Drenicën.

Rastin më të mirë në pjesën e parë për vendasit e kishte Kosumi, i cili gjuajti bukur por priti portieri mysafir Flamur Neziri.

Dy minuta para fundit të pjesës së parë, Genc Hamiti i Drenicës rrezikoi por pa sukses.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para në Gjilan.

Edhe pjesa e dytë filloi me dy skuadrat që luanin kujdesshëm dhe tentonin të shfrytëzonin ndonjë gabim.

Pasi kaluan një orë lojë, ishte mbrojtësi i djathtë Armend Thaqi që depërtoi bukur në zonë dhe shënoi për 1-0.

Golin e dytë për Gjilanin në këtë takim e shënoi kapiteni i Drenicës, Sami Geci në portën e tij.

Krejt në fund të ndeshjes, Genc Hamiti shënoi për mysafirët për ta ngushtuar epërsinë në 2-1.

Kësisoj edhe pas 11 xhirove të zhvilluara në elitën e futbollit kosovar, Gjilani vazhdon pa humbje.

Pas kësaj fitore klubi bardh e kuq zë pozitën e dytë në tabelë me 18 pikë të tubuara, dy më pak se Llapi.

Ndërkohë Drenica mbetet në pozitën e tetë me 13 pikë pas 11 javëve.