Gjykata i jep 40 ditë paraburgim përkrahësit të Gylenit

Gjykata në Prishtinë i cakton 40 ditë paraburgim shtetasit turk, përkrahës i Gulenit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të kërkuarit U.T., për shkak të, siç thuhet, veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 të KPK-së.

“Të kërkuarit U.T., i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 (katërdhjetë) ditësh dhe atë duke filluar prej datës 27.10.2017 gjerë me dt. 06.12.2017. I akuzuari U.T, kërkohet për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par.2 të KPK, sipas Kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë të datës 16 dhe 19 tetor 2017, për ekstradimin e shtetasit të vet U.T., si dhe nga Gjykata Penale e shkallës së parë nr.2 Hatay, e cila ka nxjerrë Urdhërarrest kundër të cilit në shtetin e Turqisë janë duke u udhëhequr hetimet penale në drejtim të veprës penale Organizata e armatosur nga neni 314 të Kodit Penal të Republikës së Turqisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata thotë se ka analizuar të gjitha arsyet për caktimin e paraburgimit kundër të kërkuarit U.T, sepse po të gjendej i kërkuari në liri, i njëjti mund të ikte, të largohet apo të fshihet dhe do të jetë i pakapshëm nga organet e ndjekjes, pasi që i njëjti është shtetas i Republikës së Turqisë dhe kërkohet nga autoritetet e Republikës së Turqisë.

“Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës”.

Ugur Tuksoy, shtetasi turk i arrestuar të premten në Prizren është sjellë në Pallatin e Drejtësisë, për seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ali Rexha, ka thënë për KTV-në se kërkesa për ekstradimin e tij nga shteti turk, është bërë pasi ai dyshohet të ketë marrë pjesë në grusht shtetin e korrikut të vitit të kaluar.

Rexha ka bërë të ditur se ka kërkuar që Tuksoyt t’i caktohet paraburgimi, siç parashihet prej 40 ditësh, kohë brenda së cilës gjyqtarja duhet të vendos për ekstradimin e tij ose jo.

Tuksoy, në Kosovë ka qenë i angazhuar në fondacionin “Atmosfera” si edukator.