Islami nuk u mjaftua vetëm me përcaktimin teorik të parimit të barazisë dhe konsolidimin e tij në planin ideor, por e përforcoi atë edhe në praktikë, përmes një sërë dispozitash dhe mësimesh, duke e shndërruar nga një ide abstrakte në një realitet të prekshëm. Në këtë kuadër hyjnë edhe adhurimet rituale që Islami i ka bërë detyrim dhe i ka vendosur si shtyllat praktike mbi të cilat ngrihet ndërtesa e tij madhështore: namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi.
Barazia para ligjit të Islamit
Ndër format e barazisë praktike që Islami e ka përcaktuar në fjalë dhe e ka zbatuar në praktikë, është barazia përpara ligjit (Sheriatit) dhe dispozitave të Islamit.
E lejuara është e lejuar për të gjithë, e ndaluara është e ndaluar për të gjithë, detyrimet fetare janë të detyrueshme për të gjithë dhe ndëshkimet zbatohen ndaj të gjithëve.
Një nga fiset, kur vendosi të hynte në Islam, u përpoq ta përjashtonte veten nga falja e namazit për një periudhë kohe. Por i Dërguari i Allahut (a.s) nuk e pranoi këtë kërkesë dhe u tha: “Nuk ka të mirë në një fe në të cilën nuk ka namaz.”
Sahabët u përpoqën që Usama ibn Zejdi (r.a), i cili ishte i dashuri i të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe biri i të dashurit të tij të ndërmjetësonte për një grua nga kurejshët, nga fisi Benu Mahzum, e cila kishte kryer vjedhje dhe, si rrjedhojë, i ishte bërë e detyrueshme zbatimi i dënimit të vjedhjes që është prerja e dorës. Usama (r.a) foli me të Dërguarin e Allahut (a.s) për këtë çështje, por ai (a.s) u zemërua me zemërimin e tij të njohur historik dhe tha fjalën që historia e ka përjetësuar: “Ata që ishin para jush u shkatërruan pikërisht sepse, kur vidhte ndonjë prej tyre një i nderuar, e linin pa e dënuar, ndërsa kur vidhte një i dobët, zbatonin ndaj tij dënimin. Betohem në Allahun, sikur Fatimja, bija e Muhamedit, të kishte vjedhur, Muhamedi do t’ia priste dorën.”
Në kohën e kalifëve të drejtë, hasim shumë raste dhe shembuj të zbatimit të parimit të barazisë mes të gjithë njerëzve, pa dallim dhe pa diskriminim. Mjafton të përmendim këtu historinë e Xhebele ibn Ejhemit, princit gasanid, me beduinin që iu ankua Omerit (r.a), Prijësit të Besimtarëve, se Xhebeleja e kishte goditur me shuplakë pa të drejtë. Omeri (a,s) nuk kishte rrugë tjetër veçse të thërriste Xhebelen dhe t’i kërkonte që t’i mundësonte beduinit të merrte hakun prej tij, shuplakë për shuplakë, përveçse nëse beduini do ta falte dhe do ta mëshironte. Por princit gasanid i dukej e rëndë ta pranonte këtë dhe i tha Omerit (r.a) hapur: Si mund të marrë hak prej meje, kur unë jam mbret, ndërsa ai është një njeri i thjeshtë? Omeri i tha: Islami ju ka barazuar të dyve.
Princi i gjorë nuk e kuptoi këtë kuptim të madh dhe u largua nga Medinja, duke ikur si i arratisur dhe duke braktisur Islamin, i cili vendos barazinë mes mbretit dhe njeriut të zakonshëm përpara ligjit të Allahut. Fatkeqësia e tij e mposhti dhe ai u bë prej të humburve.
Omeri (r.a) dhe sahabët që ishin me të nuk u shqetësuan aspak nga ky përfundim, sepse braktisja e Islamit nga një njeri është shumë më e lehtë sesa neglizhimi në zbatimin e një parimi të madh të parimeve të Islamit, siç është barazia. Humbja e një individi nuk mund të krahasohet me humbjen e një parimi.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com








