Holanda, narko-shteti i BE-së

Holanda po kthehet gradualisht në një narko-shtet në zemër të BE-së. Kështu thuhet në një raport të policisë vendase, në të cilin jepet alarmi për shtrirjen e krimit të organizuar, që paratë e drogës po i investon në biznese formale.

Holanda po merr gjithmonë e më shumë pamjen e një narko-shteti, ku agjencitë ligjzbatuese ndihen të pafuqishme për të luftuar krimin dhe ekonominë informale të prodhuar prej tij.

Kështu thuhet në një raport të policisë vendase, i cituar nga gazeta “De Telegraaf”. Sipas organit mediatik që përfaqëson sindikatën e policisë, ndonëse shifrat e institucioneve tregojnë një trend në rënie të kriminalitetit, në të vërtetë shumë krime po kalojnë të padenoncuara. Ndërkohë, thonë burimet e cituara nga gazeta, organizatat kriminale kanë dorë të lirë veprimi.

“Vetëm një grup kriminal në 9 mund të ndalet me burimet njerëzore që zotëron aktualisht policia”, thuhet në raportin zyrtar.

Në dokumentin në fjalë nënvizohet se edhe kriminelët e profilit të ulët po veshin petkun e biznesmenit, duke u afirmuar në fusha të ndryshme biznesi si hoteleri, agjenci udhëtimesh apo tregje të shitjes.

Në shkrimin e saj, gazeta bazohet në intervistat e kryera me 400 efektivë të policisë, të cilët pohojnë se Holanda po merr tiparet karakteristike të një narkoshteti, me ekonominë kriminale që po sfidon atë formale. Kritikë të politikave tolerante të qeverisë, që ka legalizuar shitjen e kanabisit nëpër kafene dhe prostitucionin, vlerësojnë se Holanda është kthyer në vatrën e trafikimit të narkotikëve dhe qënieve njerëzore.

Dhe në fakt, pjesa dërrmuese e drogës sintetike të llojit ekstazi që konfiskohet në Europë dhe Shtetet e Bashkuara prodhohet në laboratorë që ndodhen në jug të vendit, të kontrolluar nga grupe kriminale marokene, aktive edhe në kultivimin e kanabisit. Gjithashtu, gjysma e kokainës që qarkullon në Europë e që kap vlerën vjetore të 5.7 miliardë eurove, hyn në kontinentin e vjetër përmes portit të Rotërdamit.

Nga ana tjetër, edhe pse në 9 vitet e fundit është regjistruar një rënie me 25 përqind e krimeve të regjistruara, nën 1 milion raste, “De Telegraaf” shkruan se rreth 3.5 milionë krime të tjera kalojnë çdo vit të paregjistruara. Raporti i cituar ngre ndër të tjera edhe shqetësimin se forcat policore janë në një dizavantazh të theksuar krahasuar me burimet që kanë grupet kriminale.

Më herët gjatë muajit, kryetari i Bashkisë së Amsterdamit, shefi i policisë lokale dhe zyra e prokurorit publik paralajmëruan publikisht rrezikun nga ekspansioni i organizatave kriminale të instaluara në disa lagje të qytetit, të cilat kanë dalë tërësisht jashtë kontrollit të autoriteteve./abcnews.al