Internet i sigurt, sa ka përparuar Shqipëria?

Sipas koordinatores kombëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore Antonela Dhimolea, bashkëpunimet në sigurinë kibernetike kanë rëndësi të veçantë dhe se kanë dhënë rezultate premtuese.

Dita e Internetit të Sigurt, bëri bashkë drejtues të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike si dhe Kryesinë Shqiptare për Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglidnore.

Diskutimi kryesor i këtij takimi, ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal për sigurinë kibernetike. Kreu i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike Igli Tafa, u shpreh se falë partneritetit me aleatë strategjikë, si Departamenti i Shtetit i SHBA-së, Bashkimi Evropian etj., Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike.

“Si pjesë e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme në fushën e digjitalizimit. Kemi arritur të digjitalizojmë mbi 95% të shërbimeve publike, duke ofruar lehtësi dhe efikasitet për qytetarët tanë. Megjithatë, përtej digjitalizimit, sfida kryesore mbetet mbrojtja dhe krijimi i një mjedisi të sigurt online për bizneset dhe shërbimet që ofrojmë për qytetarët tanë. Kemi kuptuar se siguria kibernetike nuk është vetëm një çështje teknologjike, por edhe një faktor thelbësor për stabilitetin kombëtar dhe rajonal. Sot kemi mundësinë të zgjerojmë më tej këtë bashkëpunim, duke u angazhuar në një diskutim të përbashkët me përfaqësues nga 13 vende, për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë kibernetike. Evropa Juglindore ka një histori të përbashkët.”

Por burimet njerëzore në këtë sektor mbeten ende problem.

“Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballemi është mungesa e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike. Kjo është një çështje kyçe për diskutimin tonë sot, pasi duhet të gjejmë alternativa efektive për të ndërtuar kapacitete dhe për të forcuar mbrojtjen tonë kibernetike.”

Sipas koordinatores kombëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore Antonela Dhimolea, bashkëpunimet në sigurinë kibernetike kanë rëndësi të veçantë dhe se kanë dhënë rezultate premtuese.

“Theksojmë rëndësinë në rritje të bashkëpunimit me BE-në në çështjet e sigurisë, përfshirë përmes dialogut të rregullt në të gjitha nivelet, duke njohur rëndësinë e harmonizimit të qëndrimeve përkatëse dhe përafrimit të politikave për çështje që bien nën Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Jemi të vendosur të bashkëpunojmë ngushtë dhe të ndërmarrim veprime të koordinuara për të përballuar dhe mposhtur kërcënimet e vazhdueshme, si kërcënimet hibride (sulmet kibernetike, dezinformimi, presioni ekonomik, etj.), krimi i organizuar, korrupsioni i nivelit të lartë, kontrabanda e emigrantëve, trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabanda e armëve dhe drogës, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.”