Itali e njeh “gjenocidin” armen, reagon Turqia

Ankaraja zyrtare ka kritikuar ashpër votimin e një mocioni në Parlamentin e Italisë, me të cilin ngjarjet e vitit 1915 cilësohen si një “gjenocid”, raporton Anadolu Agency (AA).

“I ashtuquajturi vendim i gjenocidit nga ana e Parlamentit italian, injoron faktet historike dhe mbjell fara të reja të armiqësisë”, shkroi në Twitter Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın.

Sipas tij, vendimi i tillë i Parlamentit italian nuk është asgjë tjetër përveç se një “nxitje e populizmit politik”.

“Dënojmë përpjekjen e fundit të Parlamentit të Italisë për të shtrembëruar dhe politizuar historinë e kombit tonë”, tha më herët drejtori për marrëdhënie me opinion në presidencën turke, Fahrettin Altun.

Ai e cilësoi veprimin në fjalë si tejet “joproduktiv, armiqësor dhe të mjerueshëm”.

Ndërkohë është prononcuar edhe zëdhënësi i partisë turke në pushtet (AK) Omer Çelik, i cili tha se Italia është duke u mashtruar nga diaspora armene, e cila në asnjë mënyrë nuk synon të ketë marrëdhënie normale midis Turqisë dhe Armenisë.

Mocioni u votua me 382 vota Për, me asnjë kundër dhe 43 abstenime.

Pozicioni i Turqisë mbi ngjarjet e vitit 1915 është se vdekjet në mesin e armenëve në Anadollin lindor në vitin 1915 ndodhën pasi disa morën anën e rusëve pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Një zhvendosje pasuese e armenëve rezultoi në viktima të shumta.

Ankaraja nuk e pranon “gjenocidin” e pretenduar, por pranon se ka patur viktima në të dyja anët gjatë Luftës së Parë Botërore.

Turqia kundërshton prezantimin e incidenteve si “gjenocid”, por i përshkruan ngjarjet e vitit 1915 si një tragjedi për të dyja palët.

Ankaraja ka propozuar në mënyrë të përsëritur krijimin e një komisioni të përbashkët të historianëve nga Turqia dhe Armenia, si dhe ekspertë ndërkombëtarë për të trajtuar këtë çështje.