Ja si Mossad-i izraelit i realizon atentatet

Al Jazeera Balkans ka publikuar një shkrim ku bën të ditur se shërbimi sekret izraelit Mossad po kryen një program të fshehtë eleminimi të palestinezëve në disa vende të botës që i konsideron si “kërcënim” për Izraelin.

Al Jazzera thekson se vrasja e shkencëtarit 35-vjeçar palestinez, Fadi al-Batshe në kryeqytetin malajzian Kuala Lumpur, ishte zbulimi i këtij plani.

Al-Batsh kishte studiuar inxhinieri elektrike në Gaza dhe shkoi në Malajzi për të kryer doktoraturën në të njëjtën fushë.

Ai është i specializuar në sistemet e energjisë dhe ka botuar disa punime shkencore në këtë fushë.

Hamas, i cili kontrollon Gazën, ka thënë se Al-Batsh ishte një anëtar i rëndësishëm i organizatës dhe akuzoi shërbimin sekret izraelit se është përgjegjës për atentatin ndaj tij të dielën.

Duke e quajtur një anëtar “besnik” i saj, Hamasi bëri të ditur se Al-Batsh ishte “një shkencëtar nga radhët e dijetarëve të rinj palestinez që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe që ka marrë pjesë në forumet ndërkombëtare në fushën e energjisë”.

Në një intervistë me Al Jazeera, babai i Al-Batsh akuzoi Mossad si përgjegjës për vrasjen e djalit të tij dhe u bëri thirrje autoriteteve Malajzisë që sa më shpejt të jetë e mundur të zbardhnin vrasjen.

Sipas gazetarit investigativ izraelit, Ronen Bergman, i cili është një nga ekspertët kryesorë për agjencinë e inteligjencës izraelite dhe është autor disa librave për shërbimin sekret, theksoi se vrasja e Al-Batsh mban të gjitha vulat e operacioneve të Mossad-it.

“Fakti që vrasësit kanë përdorur një motor për të vrarë objektivin, është një metodë që përdoret në shumë operacione të tjera të mëparshme të Mossad, dhe fakti është se kemi të bëjmë me një vrasje profesioniste që tregon përfshirjen e Mossad”, ka thënë Bergman për Al Jazeera gjatë një bisedë telefonike.

Al Jazeera, duke ju referuar burimeve izraelite thekson se zakonisht përfaqësuesit palestinezë, sidomos ata të Hamas-it janë trajtuar nga inteligjenca ushtarake e Izraelit, por në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një bashkëveprim më të gjerë.

Burimet për Al Jazeera thanë se komunikimi mes përfaqësuesve të Hamasit në Gaza, Stamboll (Turqi) dhe Bejrut (Liban)  ku ndodhen degët e saj monitorohen nga afër prej rrjetit të inteligjencës izraelite.

Kështu që është e mundur që vëmendja fillestare ndaj Al-Batsh të ketë ardhur nga këto kanale.

Një mik i shkencëtarit të vrarë, i cili foli në kushte anonimati për Al Jazeera-n, theksoi se Al Batsh nuk e ka fshehur asnjëherë lidhjen e tij me Hamasin.

Duke analizuar organet e institucioneve të sigurisë në Izrael, Al Jazeera thekson se komuniteti i shërbimeve sekrete mbledh informacione, monitoron dhe ofron të dhëna. Por vendimi për të eleminuar një shënjestër, vjen vetëm nga qarqet e larta politike në vend.

Sipas Al Jazeera-s, vetëm kryeministri i Izraelit e ka tagrin për të urdhëruar një operacion të llojit të tillë nga ana e shërbimeve sekrete.

Gazetari izraelit Bergman, tha se kryeministrat e Izraelit zakonisht preferojnë të mos marrin vendime të tilla për arsye politike.

“Unë shpesh kam vënë re se raste të tilla implikojnë gjithmonë apo bëhen me përfshirjen e ministrIt të Mbrojtjes”, tha Bergman.

Pasi jepet miratimi, operacion kthehet te Mossad-i, i cili planifikon dhe zbaton një proces që mund të zgjasë për disa javë, muaj apo edhe vite, në varësi të objektivit.

Cezareja është një degë e fshehtë që vepron brenda Mossad-it, e ngarkuar me spiunimin dhe kontrollin e agjentëve në vendet kryesisht arabe dhe në mbarë botën.

Njësia u themelua në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe një nga themeluesit e tij ishte spiuni i njohur izraelit, Mike Harari.

Cezareja përdor rrjetin e saj të spiunazhit të gjerë në vendet arabe dhe përtej Lindjes së Mesme për të mbledhur informacion dhe për të kryer mbikëqyrjen e synimeve aktuale dhe së ardhshmes.

Harari ka themeluar më pas njësinë më vdekjeprurës brenda Cezaresë, e njohur si Kidon (bajoneta), e përbërë nga një njësi elite speciale dhe profesioniste për sulmet dhe aktet e sabotazhit.

Pjesëtarët e Kidon shpesh vijnë nga dega e ushtrisë izraelite. Dhe sipas të gjitha gjasave, ka qenë njësia Kidon që ka ekzekutuar Al-Batsha-n në Kuala Lumpur, thekson Al Jazeera.

Caesareja është ekuivalent i Qendrës për Aktivitete Speciale të CIA-s (SAC).

Bergman shkroi se deri në vitin 2000, e cila shënoi fillimin e intifadës së dytë në territoret e pushtuara palestineze, Izraeli zbatoi më shumë se 500 operacione për vrasje që çuan në vdekjen e më shumë se 1.000 njerëzve.

Në librin e tij, gazetari izraelit shkruan se nga 1 mijë operacione vetëm 168 kanë qenë të suksesshme. Sipas tij, Izraeli është përqendruar tek drejtuesit civil dhe ushtarakë të Hamasit.

Por Al Jazeera në shkrimin e saj shkon edhe më larg kur thotë se Mossad mban lidhje formale organizative dhe historike me një numër të shërbimeve të inteligjencës arabe, kryesisht me agjencitë jordaneze dhe marokene. Ndërkohë që shton se shërbimi sekret izraelit ka zgjeruar bashkëpunimin edhe me agjencitë e spiunazhit të Egjiptit.

Qendra e Mossad-it për Lindjen e Mesme ndodhet pikërisht në kryeqytetin jordanez, Aman.

Kur Mossad u përpoq për të vrarë liderin e Hamasit Khaled Mashaal në Aman në vitin 1997, me anë të helmimit, Mbretit Husein kërcënoi Tel Avivin për të mbyllur qendrën e spiunazhit.

Atëherë Mossad veproi menjëherë duke siguruar antidotën e helmit që shpëtoi Mashaal, për të shpëtuar qendrën e inteligjencës.

Një tjetër vend arab që mban lidhje të forta me Mossad që nga vitet gjashtëdhjetë, është Maroku, sipas hulumtimit Bergman-së.

“Maroku ka marrë informacione të vlefshme dhe asistencë teknike nga Izraeli dhe Mbreti Hassan ka lejuar hebrenjtë marokenë të emigrojnë në Izrael. Mossad-it i ishte dhënë leje për të krijuar një qendër të përhershme në kryeqytetin Rabat, ku agjentët izraelitë mund të punojnë për vendet arabe”, shkruan Bergman në librin e tij.

Bashkëpunimi ka arritur kulmin kur Maroku lejoi Mossad-in të ndërhynte në dhomat e pjesëmarrësve të samitit të Ligës Arabe në Rabat, në vitin 1965.

Samiti u thirr për të krijuar një komandë të përbashkët ushtarake arabe.

Al Jazeera thekson se ndryshe nga Mossad dhe organizatat e tjera izraelite të inteligjencës që kanë më shumë hapësirë për të vendosur eleminimet, CIA amerikane përdor një proces mjaft të ndërlikuar autorizimi që përfshin Departamentin e Drejtësisë dhe Shtëpinë e Bardhë.

Targetët e rëndësishme vijnë me autorizim direkt nga Shtëpia e Bardhë. I tillë ishte edhe autorizimi nga Barack Obama për operacionin ndaj Bin Ladenit në Pakistan.

Barack Obama si president i SHBA, ka autorizuar rreth 353 operacione kryesisht në formën e sulmeve të telekomanduara me dronë.

Paraardhësi i tij, George W. Bush, autorizoi 48 operacione me drone.

Një ish-zyrtar i lartë i CIA-s në kushte anonimiteti i ka thënë Al Jazeera tha se “CIA nuk vendos kurrë për të vrarë”.

Robert Baer, ​​një ish-oficer i operacioneve të CIA-s, tha për Al Jazeera se “Shtëpia e Bardhë duhet të miratojë çdo operacion, veçanërisht nëse ajo është një objektiv me vlerë të lartë”. /tesheshi.com/