Jemen, 132 raste të etheve tropikale

Ministria për Popullsinë dhe Shëndetin Publik në Jemen ka njoftuar se në qytetin Marib tek 132 persona është identifikuar sëmundja e etheve tropikale (dangue), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e ministrisë në fjalë në Marib thuhet se në qytet janë identifikuar 132 raste të etheve tropikale, ndërsa u bëhet thirrje institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare e lokale që të ndihmojnë për luftimin e kësaj sëmundjeje.

Ministria bën të ditur se në qytet po përhapen me shpejtësi të madhe sëmundjet e ndryshme si fruthi, kolera, difteria e ethet tropikale. Në deklaratë nuk është dhënë numri i saktë i personave të prekur nga sëmundjet tjera përveç të atyre me ethet tropikale.

“Ka mungesë të burimeve për shkak të gjendjes aktuale në shtet. U bëjmë thirrje për ndërhyrje emergjente në parandalimin e përhapjes së epidemive, sidomos fruthit dhe etheve tropikale”, thuhet në deklaratë.

Virusi i etheve tropikale kalon tek njerëzit nëpërmjet mushkonjave. Sëmundja e cila zakonisht pas periudhës së inkubacionit shkakton ngritje të temperaturës, në disa raste mund të jetë vdekjeprurëse. Ekspertët thonë se temperaturat e larta dhe reshjet e shiut të cilat zgjasin shumë, shkaktojnë rritjen e numrit të mushkonjave që mbajnë ethet tropikale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se në 6 mujorin e parë të vitit 2016 në Jemen 42 persona kanë vdekur nga ethet tropikale ndërsa 17.796 persona janë paraqitur në qendra shëndetësore me dyshimin se janë prekur nga kjo sëmundje.