Kosova nuk di për humbje në stadiumin që mban emrin e legjendës Fadil Vokrri

Më 9 shtator të vitit 2018, Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar ndeshjen e parë ndërkombëtare në stadiumin e rinovuar ‘Fadil Vokrri’.

Në kuadër të Ligës së Kombeve, ishin Ishujt Faroe, kombëtarja e parë që ‘preu’ shiritin e stadiumit që mban emrin e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Me dy gola në fillim të pjesës së dytë të shënuar nga Arbër Zeneli dhe Atdhe Nuhiu, Kosova kishte mposhtur 2:0 Ishujt Faroe.

Kjo fitore, ishte vetëm fillimi i një serie të mirë të ndeshjeve si vendas për ‘Dardanët’.

Kombëtarja e drejtuar nga Bernard Challandes, një vit pas, nuk di për humbje në tempullin ‘Fadil Vokrri’, edhe pse në fushën e tij kanë zbritur kombëtare të respektuara të futbollit.

Ishujt Faroe, Malta, Azerbajxhan, Danimarkë, Bullgari, Çeki dhe Gjibraltar, janë kombëtare, që janë ndalur nga Kosova në ‘Fadil Vokrri’, disa duke u mposhtur, e një numër i vogël kanë arritur të marrin barazim (Danimarkë, Bullgari).