Në një komunikim me një mikun tim, Beni i thotë atij: “Çfarë dëmi i kam bërë unë këtij vendi, a ma thua dot?”
Në fakt, ti Ben, jo në të shkuarën, por në të tashmen, je duke i bërë një dëm të madh këtij vendi, sepse:
Së pari, nuk je distancuar, së paku qoftë edhe me heshtje, nga narrativa nacional-komuniste, që e ka deformuar dhe nxirë historinë osmane e islame të këtij vendi, që disa nga paraardhësit e tu e kanë mbështetur dhe ushqyer atë.
Së dyti, ti edhe sot, kur kanë dalë në shesh edhe më shumë fakte dhe dokumente historike që diskreditojnë këtë narrativë, ti ke marrë penën për ta mbrojtur dhe ricikluar atë artistikisht, në letërsinë tonë bashkëkohore.
Së treti, ti, edhe pse dukesh sikur bën thirrje për bashkëjetesë paqësore me myslimanët e këtij vendi, e konsideron fenë e tyre fatkeqësinë më të madhe që i ka ndodhur këtij kombi, duke lënduar kështu në ekstrem shpirtin e tyre.
Së katërti, ti vjell mllef dhe vrer të ndyrë ndaj fesë së bashkëkombësve të tu dhe Profetit të saj, duke baltosur shenjtërinë e besimit të shumicës së tyre, dhe këtë e bën i kamufluar pas letërsisë në romanet e tu politikë.
Dhe kështu, ti mbjell dhe nxit urrejtjen mes shqiptarëve.
Ti, Ben, je i dëshpëruar që projekti i paraardhësve të tu dhe i yti njëkohësisht, nuk mundi të përfundohet dhe duket sikur po përmbyset para syve të tu, ndaj tenton vazhdimisht të përdhosësh besimin fetar të shumicës së shqiptarëve, që në mos u konvertofshin, së paku të urrejnë veten dhe identitetin e tyre fetar. Ky është krimi më i madh që ti i bën këtij vendi; duke supozuar se po e kuron atë, ti po i vret identitetin e tij shpirtëror.
A krim i vogël të duket ky?!
Justinian Topulli









