Senatori kontrovers australian, i cili fajësoi emigrantët muslimanë për sulmet terroriste në Zelandë të Re në mars të këtij viti, është kritikuar ashpër nga kolegët e tij ligjvënës, raporton Anadolu Agency (AA).
Fraser Anning, një deputet i pavarur që përfaqëson Queenslandin në Senatin australian, tha se nuk ndjen keqardhje për komentet e tij.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Senatit, Simon Birmingham, kritikoi Anningun për siç tha “mungesën themelore të njerëzimit”.
“Sjellja e tij, abuzon të drejtën për shpehjen e lirë”, tha Birmingham.
Kujtojmë se në vrullin e klithmave globale kundër masakrës në xhamitë në Zelandë të Re, ku si pasojë mbetën të vrarë 50 besimtarë muslimanë, Anning kishte shkruar në Twitter: “A keni ende dyshime për lidhjen midis emigracionit musliman dhe dhunës?”.
Senatori australian u qortua për komentet e tij raciste, për çka duke folur me gazetarët menjëherë pas sulmit u qëllua me vezë në kokë nga adoleshenti Will Connolly.
Duke e hedhur poshtë terrorizmin e ekstremit të djathtë, ligjet për armët apo rritjen e racizmit si “klishe të pakuptimta” senatori Anning tha: “Shkaku i vërtetë i gjakderdhjes në rrugët e Zelandës së Re është programi i emigracionit i cili u lejon muslimanëve fanatikë të migrojnë në Zelandën e Re”.
Birmingham tha se veprimi i Anningut është i rrezikshëm sepse “mund të nxisë akoma më shumë aktet e terrorizmit dhe dhunës”.
“Ju keni dështuar testin e karakterit, këtë nuk e pres nga një i zgjedhur në këtë vend”, i tha ai Anningut.
Një peticion publik i parashtruar në internet që grumbullon mbi një milion nënshkrime, bën thirrje që Anning të përballet me një censurë zyrtare në Parlament. Peticioni bën thirrje edhe për largimin e tij nga legjislativi kombëtar.