
Kriza humanitare në Sudanin e Jugut po përkeqësohet, ndërsa rezervat ushqimore po pakësohen dhe mijëra refugjatë vazhdojnë të mbërrijnë nga Sudani.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) paralajmëron se më shumë se 1 milion njerëz mund të humbasin ndihmat ushqimore dhe ushqimore-terapeutike deri në tetor, nëse nuk sigurohen fonde të reja.
Në Malakal, një nga qendrat kryesore të shpërndarjes së ndihmave, rezervat e ushqimit kanë rënë nga rreth 10 mijë tonë vitin e kaluar në më pak se 300 tonë aktualisht.
Rreth 3 mijë refugjatë dhe persona të kthyer nga Sudani hyjnë çdo javë në Sudanin e Jugut. Shumë prej tyre mbërrijnë të uritur, të lodhur dhe pa mjete financiare.
Sipas WFP-së, më shumë se 1.4 milionë refugjatë dhe të kthyer kanë kaluar në Sudanin e Jugut që nga fillimi i luftës në Sudan në vitin 2023.
Agjencia thotë se përballet me një mungesë urgjente prej 86 milionë dollarësh, ndërsa për gjashtë muajt e ardhshëm nevojiten edhe 416 milionë dollarë. Në të gjithë vendin, rreth 7.8 milionë njerëz përballen me nivele të larta të mungesës akute të ushqimit, ndërsa 2.2 milionë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja akute.
Organizatat humanitare paralajmërojnë se shkurtimet e mëtejshme të ndihmave mund të kenë pasoja të rënda për refugjatët, personat e zhvendosur dhe komunitetet e varfra që varen nga asistenca ndërkombëtare. /mesazhi





