Kryeministri Rama: Shengeni rajonal është një projekt strategjik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, pas përfundimit të seancës plenare të samitit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kishte në fokus planin ekonomik dhe të investimeve të BE-së dhe bashkëpunimin rajonal, raporton Anadolu Agency (AA).

– Rama: Shengeni rajonal është një projekt strategjik

Duke e konsideruar samitin e sotëm të një rëndësie të veçantë, kryeministri Rama tha se planet e punëve tashmë janë konkrete.

“Ky takim është i një rëndësie të veçantë për dy arsyeje. Së pari sepse të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që ka rëndësi të çojë përpara jetësimin e katër lirive të Evropës në rajon. Nga ana tjetër sepse ky proces tanimë është i mbështetur nga një paketë financiare në kuadër të një plani ekonomik dhe investimesh të BE-së që për nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion të bashkëpunimit rajonal dhe të përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale, të gjithë sektorit të energjisë, si dhe të digjitalimit, përbën lëvizjen më të madhe historike të Bashkimit Evropian në drejtim të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbetet e palëkundur në bindjen se projekti i “shengenit rajonal është një projekt strategjik”, siç tha ai, me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale, por edhe politike për të gjithë rajonin.

“Dhe më vjen mirë që tanimë sinergjia e këtij vizioni me Bashkimin Evropian është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe tani jemi në kushtet ku po e zotërojmë procesin”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit evropian, Rama tha se, “Detyrat e shtëpisë të integrimit evropian janë rruga për të modernizuar shtetin tonë, janë rruga për ta bërë Shqipërinë evropiane në sistemin e saj të drejtësisë dhe të shërbimeve ndaj qytetarëve”.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe është në pritje të fillimit zyrtar të negociatave të anëtarësimit.

– “Duam të organizojmë dy konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”

Eurokomasi Varhelyi, nga ana e tij, theksoi se ky takim ka pasur të bëjë me axhendën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor, sipas tij, “një axhendë që nuk krijohet vetëm nga Komisioni Evropian, por nga vetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”. Prandaj, shtoi ai, “ky takim është kaq i rëndësishëm”.

“Ne jemi të gatshëm të rikonfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë që e kemi vënë në tryezë me planin ekonomik dhe të investimeve, një plan që e kemi treguar që mobilizon një të tretën e PBB-së së rajonit, pothuajse 30 miliardë euro në formë investimesh që do të vijnë në rajon. Por ky plan ekonomik dhe investimesh do të japë rezultatet e veta vetëm në rast se vetë ky rajon punon për këtë treg rajonal dhe ky është edhe mjedisi në të cilin do të funksionojë ky treg rajonal”, tha Varhelyi.

Ai theksoi se kanë tashmë një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani dhe shtoi se, “Ne duam që partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor të fillojnë me këtë plan sa më shpejt të jetë e mundur”.

Për procesin e integrimit evropian, komisioneri i BE-së tha se, “Duam të organizojmë dy konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Pjesë e samitit ishin komisioneri Varhelyi, kryeministri Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija. /aa