Allahu i Madhëruar thotë:
“Ne nuk të dërguam ty veçse si mëshirë për botët.”
(El-Enbija, 107)
Mëshira e tij nuk ishte thjesht fjalë që thuheshin, por sjellje që shihej dhe përjetohej.
Kur dëgjonte të qante një fëmijë ndërsa ishte duke udhëhequr namazin me njerëzit, ai e shkurtonte namazin, nga mëshira për nënën e tij.
Ai alejhi selam ka thënë:
“Ndonjëherë e filloj namazin me dëshirën për ta zgjatur, por kur dëgjoj të qajë fëmija, e shkurtoj namazin, nga frika se mos e rëndoj nënën e tij.”
Mendoni pak për këtë zemër!
Një Profet që mbante mbi supe shqetësimet e një umeti, drejtonte një shoqëri dhe u mësonte njerëzve, e megjithatë nuk ishte i pandjeshëm ndaj shqetësimit të zemrës së një nëne, vetëm sepse fëmija i saj po qante.
Por mëshira e tij shtrihej edhe përtej atyre që e donin. Ajo përfshinte edhe ata që e kishin lënduar.
Në ditët më të dhimbshme të jetës së tij, kur në Taif përjetoi atë që përjetoi, meleku i maleve i ofroi që t’i shkatërronte ata mes dy maleve. Por ai nuk zgjodhi hakmarrjen.
Ai tha:
“Përkundrazi, shpresoj që Allahu të nxjerrë nga pasardhësit e tyre njerëz që do ta adhurojnë Allahun e Vetëm dhe nuk do t’i shoqërojnë Atij asgjë.”
Kështu ishte Muhamedi a.s.:
I fortë, por jo i ashpër.
I mëshirshëm, por jo i dobët.
I aftë për t’u hakmarrë, por që zgjidhte atë që mund t’i hapte njeriut derën e udhëzimit.
Le ta pyesim veten:
Sa nga mëshira e tij është në shtëpitë tona?
Sa mëshirë tregojmë në marrëdhënien me fëmijët tanë?
Me bashkëshortët tanë?
Me të dobëtit?
Madje edhe me ata që nuk pajtohen me ne?
Ne e duam të Dërguarin e Allahut, zemrat tona tronditen nga fyerja ndaj tij.
Por e vërtetojmë sinqeritetin e kësaj dashurie atëherë kur mëshira e tij shndërrohet në moral dhe sjellje në jetën tonë.
Dr. Mustafa Ebu Sad
Nga: Hoxhë Halil Avdulli









