Ballina Artikuj Kur nuk të mbetet askush përveç Allahut… nuk të ka mbetur pak

Kur nuk të mbetet askush përveç Allahut… nuk të ka mbetur pak

Ndonjëherë e thua me zemër të rënduar:
“Nuk më ka mbetur askush përveç Allahut.”
E thua pasi largohet një njeri tek i cili mbështeteshe, humbet një punë prej së cilës prisje furnizimin, dështon një trajtim tek i cili kishe varur shpresën, apo rrëzohet një plan përmes të cilit e shihje të ardhmen.
Njëra pas tjetrës, bien gjërat ku ishe mbështetur.
Dhe mbetesh ti… dhe Allahu.
Nga pesha e humbjes mund të të duket sikur ajo që të ka mbetur është pak.
Por këtu duhet ta pyesësh zemrën:
Kur them “më ka mbetur vetëm Allahu”, a e shoh Allahun si të fundit nga shkaqet e mia, apo si Zotin e të gjitha shkaqeve?
Sepse Allahu nuk ka qenë kurrë një element në listën e mbështetjeve tona.
Ai ishte Zoti i pasurisë kur ajo na sillte dobi, Zoti i njeriut kur ai na ndihmonte, Zoti i punës kur prej saj na vinte furnizimi dhe Zoti i planit kur ai realizohej.
Shkaqet ndryshojnë, por Ai që i vë shkaqet në lëvizje nuk ndryshon.
Pasuria është shkak, por nuk është burimi i furnizimit.
Mjeku është shkak, por nuk e krijon shërimin.
Njeriu i dashur është mbështetje, por nuk e zotëron të ardhmen tënde.
Puna është derë e riskut, por nuk është thesari i riskut.
Allahu thotë:
﴿وَإِن يَمْسَسْكَ اللَّهُ بِضُرٍّ فَلَا كَاشِفَ لَهُ إِلَّا هُوَ ۖ وَإِن يُرِدْكَ بِخَيْرٍ فَلَا رَادَّ لِفَضْلِهِ﴾
“Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, askush përveç Tij nuk mund ta largojë atë; e nëse Ai dëshiron për ty ndonjë të mirë, askush nuk mund ta pengojë mirësinë e Tij.”
(Junus, 107)
Prandaj, siguria jonë nuk qëndron te shumësia e shkaqeve, por tek Allahu që u jep atyre fuqinë të na sjellin dobi.
Ndonjëherë mësohemi aq shumë me një shkak, saqë harrojmë Burimin.
Paga vjen për vite nga e njëjta derë dhe fillojmë ta lidhim furnizimin me atë derë. Një njeri na qëndron pranë në çdo vështirësi dhe fillojmë ta lidhim qetësinë vetëm me praninë e tij. Një trajtim na jep shpresë dhe mendojmë se shërimi është i kufizuar vetëm aty.
Pastaj, kur shkaku humbet, na duket sikur bashkë me të është zhdukur edhe e mira.
Por jo.
Mund të ketë humbur shkaku, por nuk është pakësuar fuqia e Allahut.
Mund të jetë mbyllur një derë, por nuk janë mbyllur thesaret e Tij.
Mund të mos e shohësh rrugëdaljen, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston.
Kjo nuk do të thotë të mos pikëllohesh. Besimi nuk na kërkon të mohojmë dhimbjen. Tevekkuli nuk do të thotë të jetosh pa shkaqe, por t’ua dish vendin shkaqeve.
Prandaj, kur humbet diçka, mos thuaj:
“Humba gjithçka.”
Thuaj më saktë:
“Humba këtë punë.”
“Humba këtë mundësi.”
“U largua ky person.”
“Ky plan nuk funksionoi.”
Sepse humbe një rrugë që njihje, jo të gjitha rrugët që Allahu mund të hapë.
Allahu thotë:
﴿أَلَيْسَ اللَّهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ﴾
“A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?”
(Ez-Zumer, 36)
Ndoshta Allahu do të të japë përmes rrugës që njeh, ndoshta do të hapë një derë që nuk e ke menduar kurrë, e ndoshta do të largojë prej teje diçka që ti e konsideroje shpëtim, ndërsa mirësia ishte diku tjetër.
Ti nuk e di se çfarë ka caktuar Allahu për nesër.
Por një gjë duhet ta dish:
Rënia e një shkaku nuk e zvogëlon fuqinë e Allahut.
Mbyllja e një dere nuk i pakëson thesaret e Tij.
Dhe pamundësia jote për ta parë rrugëdaljen nuk do të thotë se Allahu nuk e ka përgatitur atë.
Prandaj, vazhdo të përpiqesh. Kërko punë, kërko shërim, kërko ndihmë, bëj plane dhe merr shkaqet.
Por shkaqet mbaji në dorë, jo në zemër.
Kur të vijnë, falënderoje Allahun për to. Kur të largohen, pikëllohu, por mos beso se bashkë me to iku edhe e ardhmja jote.
Sepse e ardhmja jote nuk ishte kurrë në duart e tyre.
Zoti i mirësisë nuk është larguar.
Zoti i shkaqeve nuk është dobësuar.
Dhe Zoti i ditëve që vijnë është po Ai që ishte Zoti i ditëve që kaluan.
Prandaj mos lejo që madhësia e asaj që ke humbur të të bëjë të harrosh madhështinë e Atij që të ka mbetur.
Allahu nuk është i fundit në listën e gjërave që të kanë mbetur.
Ai është Zoti i gjithë listës.
Mund të jetë pakësuar shumë ajo që ke në duar…
por përderisa Allahu është Zoti yt, nuk të ka mbetur pak.

E Përshtatur

Hoxhë Rufat Sherifi