Liderë botërorë kanë reaguar pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit të shtunën, sulme që Irani po ashtu iu kundërpërgjigj më vonë duke shënjestruar bazat amerikane në Lindjen e Mesme.
Një prej tyre ishte ndërmjetësuesi i bisedimeve Washington-Iran, ministri Badr Albusaidi i Omanit i cili i kërkoi SHBA-së të mos përfshihet në konfliktin rajonal.
“Jam i tronditur. Negociatat aktive dhe serioze janë dëmtuar përsëri. As interesave të Shteteve të Bashkuara dhe as kauzës së paqes globale nuk i shërben kjo. Dhe lutem për të pafajshmit që do të vuajnë. I bëj thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihen më tej. Kjo nuk është lufta juaj”, ka thënë Albusaidi.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ka rikujtuar se blloku evropian ka miratuar “sanksione të gjera” në përgjigje të “regjimit vrasës” të Iranit.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar”.
Presidenti francez ka bërë thirrje që përshkallëzimi ushtarak i vazhdueshëm të “ndalohet”. Emmanuel Macron theksoi se shpërthimi i luftës “bart pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
“Regjimi iranian duhet të kuptojë se nuk ka më zgjidhje tjetër përveçse të angazhohet në negociata me mirëbesim për t’i dhënë fund programeve të tij bërthamore dhe balistike, si dhe veprimeve të tij që shkaktojnë destabilizim rajonal. Kjo është absolutisht thelbësore për sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme”.
Zyra e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur solidaritet me popullsinë civile të Iranit, duke thënë se vazhdon të kërkojë respekt për të drejtat civile dhe politike. Zyra shtoi se Meloni do të konsultohet me aleatët dhe udhëheqësit rajonalë për të mbështetur përpjekjet për të lehtësuar tensionet.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka theksuar se vendi i tij “qëndron me popullin e guximshëm të Iranit në luftën e tyre kundër shtypjes” dhe se mbështet SHBA-në në përpjekjet për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore.
Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se vendi “nuk dëshiron të shohë përshkallëzim të mëtejshëm në një konflikt më të gjerë rajonal”, duke shtuar, “ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka theksuar se Spanja nuk e pranon atë që ai e quajti veprim ushtarak të njëanshëm të kryer nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Ai shtoi se sulmi ndaj Iranit shënon një përshkallëzim të qartë që thellon paqëndrueshmërinë në rajon.
“Ne gjithashtu i hedhim poshtë veprimet e regjimit iranian dhe Gardës Revolucionare. Nuk mund të përballojmë një tjetër luftë të zgjatur dhe shkatërruese në Lindjen e Mesme”, shkroi ai.
Ndërkohë, ministria e jashtme e Rusisë i ka përshkruar veprimet e SHBA-së dhe Izraelit si “të pamatura”, duke thënë se ato shkelin ligjin ndërkombëtar. Rusia bëri thirrje për një kthim në zgjidhjet politike dhe diplomatike.






