Llapi nis përgatitjet e para me trajnerin e ri

Llapi sot do t’i kthehet fushës së blertë, përkatësisht përgatitjeve për sezonin pranveror të Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Llapjanët para pak ditësh postin e trajnerit ia besuan Djengis Redjepit, i cili do ta zëvendësojë Bekim Shotanin, që po ashtu e pati zëvendësuar Bylbyl Sokolin. Redjepi ka punuar si ndihmëstrajner në Sivasspor të Turqisë e po ashtu ka qenë pjesë e stafit teknik në Kombëtaren e Maqedonisë, ndërsa sot e nis punën në Podujevë te Llapi. Seanca e parë stërvitore e Redjepit me llapjanët do të fillojë në ora 15:00, kur trajneri tetovar do të ketë mundësi të njoftohet me lojtarët e tij dhe do ta shoh gjendjen fizike të futbollistëve, me të cilët në pranverë do ta kërkojë titullin e kampionit të Ipko Superligës kosovare. Llapi konsiderohet rivali i vetëm i Prishtinës dhe Feronikelit. Pjesën e parë e ka mbyllur në vendin e tretë të Ipko Superligës me vetëm pesë pikë më pakë sesa kryesuesja, Prishtina, dhe katër më pak sesa kandidati tjetër, Feronikeli.