Man. Utd – Chelsea, derbi i vlefshëm për “Champions”

Futbollistët e Chelseat nuk mund t’ia lejojnë vetes humbjen ndaj Manchester Unitedit, në ndeshjen që konsiderohet e vështirë dhe e rëndësishme për të dy ekipet që po luftojnë për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm, shkruan sot koha ditore.

Kështu ka insistuar trajneri i Chelseat, italiani Maurizio Sarri. Ai thotë se Chelsea në ndeshjen e së dielës (17:30) do të futet vetëm për fitore. Derbi do të luhet në stadiumin “Old Trafford” në Manchester dhe i takon xhiros së 36-të të Premier Leagues.

Aktualisht Chelsea zë vendin e tretë në tabelë me 67 pikë, tri më shumë se Manchesteri që renditet i gjashti. Pozitën e pestë e mban Arsenali me 66 pikë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Sarri ka shtuar se ekipi i tij duhet patjetër ta mbajë pozitën aktuale në tabelë në mënyrë që të sigurojë Ligën e Kampionëve. Në të kundërtën i duhet të triumfojë në Ligën e Evropës dhe të fitoj biletën për Ligë të Kampionëve. Chelsea është në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

“Deri në fund të këtij edicioni i kemi dy synime. I pari është që kampionatin ta mbyllim të paktën në pozitën e katërt, dhe i dyti është që të shkojmë në finale të Ligës së Evropës”, është shprehur Sarri të premten. “Për synimin e parë duhet patjetër të fitojmë ndeshjen kundër Manchesterit. Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dy ekipet, por ne duam të fitojmë. Do të jetë shumë vështirë, por edhe Manchesteri nuk do ta ketë lehtë”.

Chelsea këtë edicion nuk ka marrë asnjë pikë në udhëtim te skuadrat që renditen në gjashtë pozitat e para. I ka regjistruar katër humbje, duke pranuar 13 gola dhe ka shënuar vetëm një. Sarri thotë se Manchesteri nuk ka çfarë të humbasë./koha.net