Microsoft ka rindërtuar Windows 11-ën rreth procesorëve ARM dhe AI

Vuajtjet e sistemit operativ Windows me procesorët ARM mund të kenë përfunduar ditën e djeshme.

Si pjesë e iniciativës së re të Microsoft me kompjuterët Copilot+ AI PC, ku përfshihen pajisjet e reja Surface por edhe sistemet partnere me çipin Snapdragon X Elite të Qualcomm, Microsoft tha se ka rindërtuar komponentët kyçë të Windows 11 për të mbështetur më mirë harduerët ARM dhe AI.

Janë rindërtuar kerneli, kompiluesi dhe mbi të gjitha emulatori “Prism” i cili përdoret për aplikacionet e vjetra x86 dhe x64.

Megjithatë që nga debutimi i kompjuterit të parë ARM Windows RT në 2012-ën, Microsoft e ka provuar që nuk mund ti besohet ofrimi i një eksperience të pranueshme në ARM.

Ajo pajisje asokohe ishte shumë më e ngadaltë se pajisjet me procesorët Intel dhe AMD si dhe nuk mund të hapte aplikacionet x86. Por Windows në ARM është përmirësuar gradualisht me kalimin e viteve.

Microsoft thotë se ka ripunuar Windows 11-ën për të përfituar nga avantazhet e procesorëve ARM dhe proceseve AI. Një driver i ri është krijuar për të njohur motorët neuralë.

Falë NPU-së së fuqishme në kompjuterët me çipin Snapdragon X Elite, kompjuterët Copilot+ mund të kryejnë deri në 40 trilionë operacione në sekondë, një njësi matëse e performancës AI.

Microsoft pretendon se është dyfishi i performancës që ofrojnë kompjuterët Apple MacBook Air dhe MacBook Pro.