Kur bëhet fjalë për një gjumë cilësor, shumica prej nesh e dinë se çfarë duhet të shmangim – përdorimin e telefonave para gjumit, konsumimin e kafesë. Por, sipas dietologes britanike Frances Ralph, ka disa ushqime që shpesh neglizhohen, por që ndikojnë negativisht në gjumin tonë.
Në një intervistë për Metro.co.uk, Ralph këshillon që konsumimi i çokollatës të ndalet pas orës 3 të pasdites.
“Mund të mendoni se një ose dy çokollata të zeza pas darkës janë një ushqim i shëndetshëm plot antioksidantë, por ato mund të sabotojnë gjumin tuaj në heshtje,” – shpjegon ajo.
Sipas ekspertes, çokollata e zezë përmban kafeinë dhe teobrominë, dy stimulues që zgjojnë sistemin nervor. Vetëm 20 gramë çokollatë e zezë mund të përmbajnë aq kafeinë sa një filxhan i vogël çaji jeshil, ndërsa teobromina mund të qëndrojë në trup për 6 deri në 8 orë, duke ndikuar në cilësinë e gjumit.
“Nëse ju pëlqen çokollata, shijojeni më herët gjatë ditës, idealisht para orës 3 të pasdites, kur trupi mund t’i përpunojë më lehtë këta stimulues,” – shton dietologia.
Por çokollata nuk është e vetmja që mund të ndikojë keq. Ralph përmend edhe salcat me bazë domatesh, të cilat shkaktojnë refluks acidi, si dhe djathrat e vjetër dhe mishrat e kuruar, të pasura me tiraminë, një substancë që nxit zgjimin dhe mund të pengojë gjumin e thellë.
Ekspertja këshillon që vakti i mbrëmjes të përfundojë të paktën tre orë para gjumit, dhe të zgjidhen ushqime të lehta që nuk përmbajnë stimulues të “fshehur”.








